Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të premten nga detyra prokurorin e Lezhës, Bardhok Lleshi.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Olsi Komici, Valbona Sanxhaktari dhe Xhensila Pine.
Komisioni gjeti se prokurori Lleshi kishte fshehur pasurinë. Komisioni konstatoi pamundësi financiare për blerjen e tre ngastrave tokë, për të cilat prokurori Lleshi ka deklaruar se një e ka blerë me kursimet e tij nga puna si emigrant në Greqi dhe dy të tjerat të financuara nga i vëllai, prej të ardhurave të siguruara nga puna në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.
KPK argumentoi se nuk ka provuar të ardhurat e deklarura nga puna në emigracion gjatë periudhës 1991-1997 dhe as transferimin e vlerave të pretenduara.
Nga ana tjetër Komisioni ngriti dyshime për fshehje të pasurisë, pasi nuk ka deklaruar kuotat e zotëruara në vititn 2005 përpara se të fillonte detyrën.
Bardhok Lleshi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe u emërua si prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në vitin 2009, Lleshi u transferua në Prokurorinë e Lezhës ku vazhdon ta ushtrojë funksionin edhe aktualisht.