Komisioni i ri Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot (31 tetor) qe në zgjedhjet e 25 prillit identifikimi elektronik i zgjedhësve do të kryhet në të gjithë vendin.
“Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në çdo qendër votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje”, njoftoi për median KQZ-ja.
Brenda datës 19 nentor qeveria duhet të japë fondet për zhvillimin e tenderit.
Në lidhje me identifikimin biometrik dhe përdorimin e teknologjisë në zgjedhjet e prillit, KQZ-ja e re pritet të ngrejë një grup pune të posaçëm së shpejti.
Zëvendëskomisionere e KQZ-së, Lealba Pelinku do të monitorojë procedurat e tenderit.
Bashkimi Evropian vendosi të japë 15 milionë euro për financimin e teknologjisë në zgjedhje, duke zhbllokuar edhe reformën zgjedhore, në qershor 2020.
Identifikimi biometrik i zgjedhësve në qendrën e votimit u kërkua nga opozita me arsyen se ai do të eliminojë votimin e dyfishtë apo votimin në emër të emigrantëve që nuk ndodhen në Shqipëri, siç ka ndodhur në të kaluarën.