Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përllogaritur fondet që do të marrin partitë politike nga buxheti i shtetit për vitin 2021.
Në mbledhjen e 3o janarit, KQZ diskutoi dhe llogariti ndarjen e 140 milionë lekëve, rreth 1,12 milionë eurove, mes partive bazuar në tre kritere:
- 70 për qind e fondit u shpërnda bazuar në numrin e deputetëve që kanë fituar partitë në zgjedhjet e fundit parlamentare, në vitin 2017
- 20 për qind e fondit u shpërnda në mënyrë të barabartë mes partive që kanë marrë mbi 10 mijë vota,
- 10 për qind e fondit u shpërnda mes partive që kanë marrë mbi 1 për qind të votave në shkallë vendi.
Kështu në total, Partia Socialiste është ajo që përfiton më shumë nga fondi: rreth 63,4 milionë lekë, ose sa 45 për qind e totalit.
Më pas vjen Partia Demokratike me rreth 39 milionë lekë ose sa 28 për qind e fondit total.
Lëvizja Socialiste për Integrim do të përfitojë 20 milionë lekë ose sa 14 për qind e totalit.
Tre partitë e tjera që përfitojnë nga buxheti i shtetit janë:
- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet – 7,4 milionë lekë ose sa 5 përqind e fondit total;
- Partia Socialdemokrate – 5,4 milionë lekë ose sa 4 përqind e fondit total;
- Lista e Barabartë – 4.8 milionë lekë ose sa 3,4 përqind e fondit total.
Projektvendimi hartuar nga KQZ pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme.