KQZ regjistron partinë e Patozit në shkelje të ligjit

KQZ regjistron partinë e Patozit në shkelje të ligjit

Në shkelje të afateve ligjore dhe kushteve të parashikuara në ligj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot regjistrimin e partisë “Bindja Demokratike” për zgjedhjet e 30 qershorit.

Partia e Astrit Patozit mori katër vota pro regjistrimit nga nënkryetari i KQZ-së Denar Biba dhe anëtarët Rezata Bitri, Edlira Jorgaqi dhe Bledar Skënderi. Ndërsa kryetari i KQZ-së Klement Zguri votoi kundër.

Zoti Zguri sqaroi shkeljet në afatin për regjistrim dhe kushtet e paplotësuara, që e bëjnë të paligjshëm regjistrimin e partisë së Patozit në zgjedhje.

Së pari, “data 21 prill ka qenë data e fundit për të sjellë të gjithë dokumentacionin ligjor,” sqaroi Zguri, ndërkohë që përfaqësues të partisë së Patozit kanë dorëzuar disa prej dokumenteve më 23 prill, dy ditë pas afatit.

Së dyti, “tani që flasim (27 prill) vendimi i gjykatës nuk ka hyrë në fuqi dhe Bindja Demokratike nuk ka lindur”, tha Zguri, duke bërë të qartë se partia e Patozit nuk ekziston ende, ndaj nuk mund të regjistrohet në zgjedhje.

Siç Exit.al ka sqaruar më parë, janë një sërë kushtesh të përcaktuara në Ligjin për Partitë Politike, që duhen plotësuar dhe verifikuar nga gjykata për të regjistruar një parti. Për regjistrimin e një partie duhen paraqitur në Gjykatën e Tiranës kërkesa për regjistrim, e cila duhet firmosur nga të paktën tre mijë individë, anëtarë themelues të partisë; statuti i miratuar i partisë; dhe kryetari i partisë, i cili është përfaqësuesi ligjor i saj.

Ndërkohë, dokumentacioni duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor, i cili, përveç verifikimit të përmbushjes së kushteve të mësipërme, duhet të verifikojë edhe nëse statuti dhe dokumentet e tjera të partisë janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.

Dokumentet pranë Gjykatës së Tiranës janë dorëzuar në po të njëjtën datë si në KQZ, pra më 23 prill, dhe gjykata duket se ende nuk ka përfunduar shqyrtimin e të gjithë dosjes. Megjithëse vendimi i gjykatës ende nuk ka marrë formë të prerë,  katër anëtarë të KQZ-së mendojnë se regjistrimi në zgjedhje i partisë së Patozit është i ligjshëm dhe i rregullt.

Lidhur me verifikimin e dokumenteve nga gjykata, janë të paktën katër qytetarë që kanë bërë ankim në gjykatë kundër Bindjes Demokratike, me akuzën se kanë falsifikuar firmat e tyre për themelimin e partisë. Njëri prej qytetarëve tha se jeton jashtë, por është lajmëruar nga familjarë që emri i tij dhe firma e tij ndodhej mes firmëtarëve.

Së treti, zoti Zguri tha se “në zgjedhjet e 2015 kemi votuar 7 me 0 që një subjekt i ndodhur në të njëjtat kushte të mos regjistrohej.”

Pra, duket se për të njëjtën situate anëtaët e KQZ-së kanë marrë vendime të kundërta. Të paktën dy prej anëtarëve që sot votuan pro regjistrimit të partisë së Patozit, Edlira Jorgaqi dhe Denar Biba, janë anëtarë në KQZ-së që prej janarit 2015 dhe kanë votuar kundër regjistrimit të një partie në të njëjtat kushte si sot.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>