Manfred Weber, udhëheqësi i partisë më të madhe në Parlamentin Europian- EPP, i ka kërkuar Bashkimit Europian të vendosë sanksione ndaj Turqisë për sulmet e vazhdueshme ndaj Greqisë dhe Qipros.
Të enjten, në seancën e PE-së, Weberi tha se grupi parlamentar i EPP-së do të qëndrojë pranë Greqisë dhe Qipros.
Në një postim në Twitter, ai i quajti ‘të papranueshme’ sulmet e Turqisë ndaj Greqisë dhe Qipros dhe tha se pavarësisht paralajmërimeve, Turqia nuk është tërhequr.
Gjatë fjalës në parlament, Weberi tha se dialogu me Turqinë ka qenë i vazhdueshëm, por tani “BE duhet të vendosë sanksione!” dhe i bëri thirrje Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell të veprojë sa më shpejtë.
Turqia kërkon të dërgojë një anije për të kryer studime sizmike dhe shpime në ujërat në lindje të ishullit grek Kastellorizo nga 21 korriku-2 gusht.
Me shfaqjen e anijes pranë ishullit, Greqi bëri publik në arenën ndërkombëtare planin e Turqisë dhe menjëherë vendosi në gatishmëri forcat e armatosura.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i ka kërkuar BE-së që të vendosë sanksione ndaj Turqisë.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell paralajmëroi javën e kaluar se punimet e eksplorimit të Turqisë janë “kundër interesit të BE-së, të drejtave sovrane të vendeve anëtare të BE-së dhe ligjit ndërkombëtar”.
Por Turqia këmbëngul se po vepron brenda ligjit ndërkombëtar, ka çdo të drejtë të kryejë aktivitete të tilla dhe nuk ka përse të kërkojë leje për operacione të tilla shpimi.