Kreu i OBSH kandidon për një mandat të dytë

Nga Exit News
Kreu i OBSH kandidon për një mandat të dytë

Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, planifikon të kandidojë për një mandat të dytë pesë-vjeçar si kreu i agjencisë, njoftoi Stat News të hënën.

Tedros ka qenë fytyra publike e OBSH-së gjatë pandemisë COVID-19, që kur virusi u shfaq në Wuhan në fund të 2019.

Në vitin 2017, ai u bë afrikani i parë që drejtonte agjencinë e Kombeve të Bashkuara.

Procesi për zgjedhjen e personit që do të drejtojë OBSH-në prej 2022 deri në 2027 filloi muajin e kaluar.

OBSH dërgoi një letër, duke informuar shtetet anëtare se tashmë mund të emëronin kandidatët e tyre.

194 vendet anëtare të OBSH-së mund të propozojnë kandidatë deri në shtator.

Emrat dërgohen në zarfe të mbyllura te kryetari i Bordit Drejtues të OBSH, i cili interviston dhe propozon 3 kandidatët përfundimtar.

Mandati i Tedros ka qënë i ngjeshur në ngjarje.

Sapo u emërua në krye të OBSH në 2017, ai u përball me shpërthimin e Ebola në rajonet afrikane të Kivut Verior dhe Iturit.

Tedros u vlerësua pasi udhëtoi në rajonet e rrezikshme të paktën 10 herë, për t’u takuar me njerëzit që punonin për të parandaluar sëmundjen.

Pas shpalljes së pandemisë Covid-19, profili i tij publik u rrit dhe po ashtu edhe kriticizmi.

Administrata Trump e akuzoi si bashkëpunëtor të Kinës, duke kërcënuar tërheqjen e SHBA-ve nga OBSH-ja.

Nga ana tjetër, kreu aktual i OBSH ka deklaruar se Kina ka fshehur informacion gjatë misionit të organizatës për të zbuluar origjinën e koronavirusit.

Shtetet anëtare do të zgjedhin drejtorin e ri të përgjithshëm në Asamblenë Botërore të Shëndetit 2022, takimi vjetor i këshillit drejtues të OBSH-së.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>