Çelo Hoxha, kreu i sapozgjedhur i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, dënoi nderimin me titullin “Nderi i Qarkut Dibër” të Haxhi Lleshit, ish-kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe një prej të besuarve të diktatorit Enver Hoxha.
Në një intervistë për News 24, Çelo Hoxha deklaroi se Haxhi Lleshi është firmëtar i të gjitha vrasjeve politike të ndodhura nga viti 1953 e derisa drejtoi Presidencën e Kuvendit Popullor, në vitin 1982:
“Haxhi Lleshi përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacional Çlirimtare.
Në vitin 1995 me dekret të Presidentit të Republikës, Haxhi Lleshit iu hoqën të gjitha dekoratat dhe titujt e nderit për aktin kriminal të gjenocidit të ushtruar ndaj popullit shqiptar gjatë viteve të diktaturës komuniste.”
Çelo Hoxha tha se vendimi i Bashkisë Dibër për të nderuar Haxhi Lleshin, bie ndesh me ligjet në fuqi që dënojnë krimet e komunizmit.
Ai shprehu domosdoshmërinë e miratimit të dy ligjeve nga parlamenti shqiptar, ligjit të Lustracionit dhe Dekomunistizimit, si e vetmja mënyrë për të mos i vlerësuar dhe glorifikuar më personat që kanë kryer krime gjatë diktaturës.