Partitë kanë kohë që janë kthyer nga bashkime ideologjike në bashkime interesash, të cilat nuk i përkasin më shoqërisë, por një grushti njerëzish me pushtet politik, ekonomik e në rastin tonë edhe kriminal. Në fakt, ky fenomen ka ndodhur në pjesën më të madhe të demokracive perëndimore, ndërsa në Shqipëri brenda partive politke luftohet për interesat politikë (krejtësisht normalë në një formacion politik) dhe interesat kriminalë që përdoren për qëllime personale dhe elektorale.
Për sa kohë krimi është pjesë plotësuese e një partie politike, vetëpastrimi i saj ndodh vetëm atëherë kur skandali bëhet publik, pra detyrimisht i denoncueshëm. Dukshëm në vendin tonë, ashtu si në çdo vend me standarde të dyshimta demokratike, skandali dhe demorkacia janë të lidhura pazgjidhshmërisht, por ajo çka pason denoncimin nuk është gjykimi ligjor, por furtuna politike. Intensiteti i këtij sulmi mbyt përpjekjet e organit të akuzës në kryerjen e detyrës së saj.
Në partitë tona politike ekziston praktika e dëshmisë së penalitetit që ka vërtetuar se nuk është zgjidhje problemin të kriminalizimit të partive dhe kuvendit. Është e palogjikshme kur mendon se partitë politike në Shqipëri ngrenë struktura për të analizuar humbjet në beteja elektorale, ndërsa nuk i japin një zgjidhje përfundimtare problemit të kriminelevë me poste të larta në parti, të cilët nga hollet partiake kërcejnë natyrshëm në sallat e grupeve parlamentare. Kjo të bën të mendosh se kryetarët kanë nevoje patologjike për krimin, ndaj dhe shtegu nga kalojnë njerëzit e inkriminuar nuk mbyllet njëherë e mirë.
Ndaj dhe hetimi ligjor i këtyre njerëzve bëhet gati i pamundur. Këta janë individë që lidhjet me krimin i fshehin përmes mbështetjes politike dhe presionit politik ndaj sistemit të drejtësisë. Dënimi i tyre do të shkaktonte zhurmë mediatike dhe akuza politike duke e delegjitimuar punën e gjyqësorit dhe duke e vënë përballë paragjykimeve të militantëve.
Krasitja e këtyre njerëzve nga skena politike, jo vetëm që do t’i jepte një imazh krejt të ri politikës, por do ta vinte gjyqësorin në një pozicion më komod, larg presioneve partiake dhe paragjykimeve popullore. Partitë nuk e bëjnë dot këtë lloj filtrimi. Nuk e bëjnë se nuk duan. Ndihen të pasigurtë përballë qytetarëve, të pajisur veçse me ide dhe argumenta për një politikë qytetare dhe europiane. Po jetojmë në epokën e vdekjes së arsyes.