Për aq kohë sa politika do të ketë nevojë për paratë dhe dhunën e krimit, për aq kohë do të gjinden kriminelë për t’ja plotësuar këtë kërkesë politikës.
Kriminelë nuk janë vetëm ata që kanë kryer krime të rënda, si vrasje dhe prostitucion. Krim bëjnë edhe biznesmenët që kryejnë evazion fiskal dhe korrupsion të cilët gjithashtu kanë synim të kapin politikën dhe të ushtrojnë presionin e tyre.
Në emisionin “Me Pak Fjalë” u fol se si ligji i dekriminalizimit trajton vetëm një simptomë të problemit dhe jo thelbin e tij.
Apeli i ambasadores amerikane Yuri Kim për kandidatë të pastër në listat e deputetëve, tregoi se edhe pas 5 vitesh nga zbatimi i ligjit, politika vijon të bashkëpunojë me krimin dhe të marrë mbështetje prej tij.
Megjithëse dekriminalizimi ka larguar rreth 600 punonjës publikë – deputetë, kryebashkiakë, këshilltar bashkiakë, punonjës të administratës – nga postet që mbanin, individë me të shkuar krimiale vijojnë të mbështesin parti të caktuara përmes parave dhe forcës.
Nëse ata do të ishin njerëz me ndikim në komunitet për shkak të punës, integritetit dhe kontributeve, njerëz të pa përfshirë me krimin dhe pa para të pista, politika nuk do t’i afronte ata.
Pra mbajtja e krimit larg nga politika është më shumë çështje e vullnetit të partive për të punuar pa ndihmën e parave të ardhura nga aktivitete kriminale.
Ligji i dekriminalizimit arriti relativisht që të mbajë larg të dënuarit nga Kuvendi dhe Bashkitë por kjo nuk do të thotë se është zgjidhur problemi i depërtimit të krimit në politikë, apo përpjekjeve të krimit për të kapur politikën.
Të gjithë njerëzit që janë e përfshirë në aktivitete kriminale janë përfshirë në listat e partive politike dhe në qeverisje me vetëdije nga drejtuesit politikë, pikërisht sepse janë të tillë.
Ligji është një mekanizëm që ka ndaluar deri në një masë ata që janë dënuar por duhet pasur parasysh se janë shumë njerëz të përshirë në aktivitet kriminale që nuk janë të dënaur.
Ata nuk kanë pengesa ligjore për futjen në politikë por dëshira e liderëve politikë për të bashkëpunuar me ta do të vendosë nëse në të ardhen krimi do të jetë ose jo i përzier me politikën.