Kriza klimatike po sjell fundin, askush nuk do t’ia dijë 

Nga Aurora Velaj
Kriza klimatike po sjell fundin, askush nuk do t’ia dijë 

Romani “Më e mira e botëve” parashikon dhe paralajmëron njerëzimin të “Mos shikojë lart”

Nëse keni mundësi të shikoni një nga filmat e fundit në Netflix “Mos shiko lart” (ang. Don’t look up) të shkruar, prodhuar dhe drejtuar nga kineasti dhe komediani Adam McKay dhe nëse keni lexuar librin “Më e mira e botëve” (ang. The Brave New World) të autorit anglez Aldous Huxley, megjithëse njëri është film dhe tjetri është libër, është e pamundur të mos fillosh të mendosh se sa ngjashmëri kanë këto dy vepra me njëra-tjetrën.  

Ishte rastësi apo fat, por unë po e rilexoja veprën e Huxley-t pak para se të shikoja filmin dhe që nga ai moment më kanë munduar mendimet që më lidhin direkt me realitetin që jetojmë. Po mund të lindë pyetja se çfarë ngjashmërie mund të gjesh në dy vepra artistike, kur në njërën anë romani fantastiko-shkencor distopik është shkruar në vitin 1931, dhe nga ana tjetër komedia fantastiko-shkencore është e shfaqur për herë të parë në dhjetor të 2021?

Megjithëse këto dy vepra kanë gati një shekull në mes tyre, koha për to është ndalur dhe po të bëjmë një analizë të hollë të tyre do të kuptojmë se përpjekja e Huxley-t për të parashikuar të ardhmen e largët në fakt nuk është gjë tjetër veçse realiteti që përjetojmë tek komedia e McKay-t dhe se “Më e mira e botëve” parashikon dhe paralajmëron njerëzimin të “Mos shohë lart”.

Çështja e të qenit të lumtur dhe teknologjia si mjet kontrolli  

Në “Më e mira e botëve” shoqëria është e fiksuar pas lumturisë dhe nuk ndalet për asgjë për ta zotëruar atë. “Bota është e qëndrueshme tani. Njerëzit janë të lumtur; ata marrin atë që duan dhe kurrë nuk duan atë që nuk mund ta marrin.” Kështu i thotë Mustafa Mondi Gjonit kur ky i fundit i kërkon të dijë pse nuk është shkruar letërsi e mirë në shoqërinë e re dhe se pse Shekspiri është i ndaluar.

Koncepti i lumturisë tek “Më e mira e botëve” bazohet në disa aspekte të ndryshme të jetës si kushtëzimi dhe injoranca, argëtimi, shthurja dhe konsumi, produktiviteti dhe stabiliteti, si dhe droga e lumturisë soma. Të gjitha këto shteti botëror i mban nën komandë nëpërmjet dy mënyrave kryesore të kontrollit: teknologjisë dhe medias, të cilat janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, pasi zhvillimi i njërës (teknologjisë) sjell si rezultat një makineri propaganduese më të fuqishme mediatike hipnotike. Në këtë roman, e vërteta duhet të sakrifikohet në mënyrë që të arrihet lumturia. Kështuqë njerëzit jetojnë një lumturi sipërfaqësore duke eliminuar mendimet e thella, pasionet e forta dhe idetë e reja. Si rrallë shkrimtarë të tjerë, Huxley kuptoi se elementi kyç i të ardhmes do të ishte marrëdhënia e vazhdueshme e njerëzve me teknologjinë dhe është e frikshme se sa shumë i është afruar realitetit që jetojmë në ditët e sotme.

Megjithëse të sjella në një format tjetër, këto mënyra të jetës që përcaktojnë lumturinë te ky libër shtrihen edhe përgjatë gjithë filmit “Mos shiko lart”. Rëndësia se sa i jepet “të ndjerit mirë” është thelbësore edhe tek kjo komedi, aq sa njerëzit nuk duan dhe nuk kanë më interes të dëgjojnë të vërtetën.

Te “Mos shiko lart” media dhe teknologjia luajnë një rol thelbësor në kontrollin që i bëhet shoqërisë njerëzore. Kemi rastin e një programi televiziv mëngjesi me shumë ndikim, “The Daily Rip”, që përfaqëson realitetin mediatik të sotëm, ku prezantuesit Jack, luajtur nga Tyler Perry, dhe Brie, luajtur nga Cate Blanchett, bëjnë ç’është e mundur “to keep the news light” – “të mos e rëndojnë lajmin” – dhe kur janë të detyruar të japin lajmin, duhet ta thonë në një formë të tillë që të mos i trondisë njerëzit aq shumë. Ky emisioni që satirizohet që me emërtimin e tij, RIP – në shqip: PREHU NË PAQE – është një parodi që i bëhet realiteit mediatik të sotëm, që të bën të mendosh për shumë emisione televizive jo vetëm amerikane por edhe shqiptare.

Po ashtu, edhe në fushën e teknologjisë, lumturia dhe të ndierit mirë është thelbësore te ky film. Kemi rastin e prodhimit të një versioni të ri celular të kompanisë së teknologjisë BASH LiiF, i cili kupton kur individi është i trishtuar ose përjeton ndjenja të tjera negative, dhe kështu automatikisht të shfaq një video ose mesazh për t’ë të bërë të ndihesh mirë. Ky prodhim i ri telefonash në film nuk është gjë tjetër veçse në realitet prodhimi dhe nxjerrja në treg e smartfonave disa vite më parë.

Në filmin “Mos shiko lart” teknologjia përfaqësohet nga një kompani celularësh e quajtur BASH, me shef ekzekutiv, multimiliarderin Peter Isherwell, luajtur nga Mark Rylance, e cila në të vërtetë nuk është gjë tjetër veçse një version i ekzagjeruar i të gjitha kompanive të teknologjisë që shohim në jetën tonë të zakonshme si Amazon, Apple, Google dhe Facebook, të cilat kanë arritur një zhvillim të madh në përparimet teknologjike, por që kritikohen vazhdimisht për shkeljet e privatësisë, për lakminë e tyre për të përfituar si dhe për tentativat për lobime politike. Megjithëse nga veshja e drejtorit ekzekutiv, Peter Isherwell na kujton veshjen modeste të Steve Jobs-it, kompania BASH personifikon gjithashtu edhe Elon Musk-un, me planet e tij për të dërguar jetë në Mars. 

Ndërsa, Huxley në librin e tij satirizon teknologjinë si një mjet kontrolli nga Shteti Botëror, përfshirë këtu gjendjen hipnopedike, masat ekstreme të përdorimit të kontraceptivëve si dhe ndërhyrje të tjera të rëndësishme mjekësore.  Nga ana tjetër, McKay shpjegon me detaje të imazhit nga më të imtat se sa teknologjia në kohët e sotme ka pushtuar botën, se sa të varur jemi prej saj dhe sa shumë ka depërtuar ajo në çdo aspekt të jetës së njerëzve.

Në të dyja rastet, këto përvoja janë një satirë e mprehtë që i drejtohet teknologjisë moderne të telefonisë celulare, tregut mediatik si dhe ekzistencës prej vitesh tashmë të kompanive Facebook, Twitter, Instagram dhe TikTok, të gjitha këto janë një formë kontrolli e fuqishme që i bëhet jetës së njerëzve duke e afruar shoqërinë moderne drejt asaj çka do të dëgjojë dhe përjetojë dhe duke e larguar nga ajo ç’ka në fakt duhet të dëgjojë dhe përjetojë. 

Çështja e krizës klimatike: “Faktet nuk pushojnë së ekzistuari sepse ato injorohen.”

A po jetojmë në fakt në botën futuriste të Huxley-t apo në botën e satirës së Adam McKAy-t? Apo në të dyja së bashku?

Megjithëse fashizmi dhe komunizmi kanë dështuar, Huxley na kujton se ka mënyra të tjera për të manipuluar njerëzimin. Ai parashikon një totalitarizëm të frikshëm të konsumit në masë dhe të reklamimit masiv, të një kontrolli që imponohet pa e kuptuar.  

Huxley thotë se “viktimat e vërteta të pashpresa të sëmundjeve mendore gjenden mes atyre që duken si më normalë. Shumë prej tyre janë normalë, sepse janë përshtatur aq mirë me mënyrën tonë të ekzistencës, sepse zëri i tyre njerëzor është heshtur aq herët në jetën e tyre, saqë ata as nuk luftojnë, as vuajnë dhe as zhvillojnë simptoma siç bën një i sëmurë mendor. Ata janë normalë jo në atë që mund të quhet kuptimi absolut i fjalës; ata janë normalë vetëm në raport me një shoqëri thellësisht anormale. Përshtatja e tyre e përsosur me atë shoqëri jonormale është një njësi matëse e sëmundjes së tyre mendore. Këta miliona njerëz anormalisht normalë, që jetojnë pa bujë në një shoqëri në të cilën, nëse do të ishin plotësisht qenie njerëzore, nuk duhet të përshtateshin.”

Jemi në fillim të vitit 2022 dhe njerëzimi është i mbushur me sëmundje, varfëri dhe pasiguri, por problemi më i madh me të cilin përballemi në fakt është ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike. Temperaturat ekstreme të klimës që po përjetohen në disa vende në botë, zhdukjet masive të kafshëve dhe peshqve në tokë, ajër dhe ujë, bletët e rrezikuara në të gjithë globin, qytetet e mbushura me smog, ndotja e ujit dhe e ajrit, shfrytëzimi pa kriter i burime ujore që po e vrasin florën e faunën e këtyre burimeve, rritja e popullsisë, rreziku i pasigurisë së ushqimeve që konsumojmë dhe rënia e cilësisë së ushqimeve, pandemia e shumë problematika të tjera përmblidhen në një fjalë të vetme në filmin “Mos shiko lart”: KOMETË.

Në fillim të këtij filmi, NASA konfirmon zbulimin e kometës dhe kreu i Zyrës së Koordinimit të Mbrojtjes Planetare, Dr. Teddy Oglethorpe, luajtur nga aktori Rob Morgan, së bashku me Dibiasky-n, luajtur nga aktorja Jennifer Lawrence, dhe Mindy-n, luajtur nga aktori i shquar Leonardo DiCaprio, shkojnë në Shtëpinë e Bardhë për të paraqitur zbulimin e tyre. Ata priten me apati nga presidentja Janie Orlean, luajtuar nga aktorja Meryl Streep, e cila është jokompetente dhe cinike dhe përdor pushtetin si mjet për të lartësuar veten dhe jo për të drejtuar vendin, dhe djali i saj, krahu i djathtë i mamasë, njëkohësisht dhe Shefi i Kabinetit, Jason Orlean, luajtur nga Jonah Hill, që personifikojnë politikanët sharlatanë e të korruptuar që nuk mendojnë për zhvillimin por për karrierën e tyre politike.

E pra, nga njëra anë profecia e “Më e mira e botëve” parashikon të tashmen, duke ekzaminuar një shoqëri futuriste dhe kontrolli shoqëror nën pushtetin e një shteti botëror dhe të një teknologjie të avancuar. Ndërkohë që “Mos shiko lart”, siç e thotë Leonardo Di Caprio, “është një analogji e ditëve moderne, ku nëpërmjet satirës tregohet paaftësia jonë për të parë dhe për të dëgjuar një të vërtetë shkencore”, që quhet kriza klimatike.

Pra, nëse emetimet, ndotjet dhe thatësirat mund të jenë koncepte abstrakte dhe të vështira për t’u kuptuar, shpjegimin e tyre e gjejmë te metafora, sarkazma dhe bota imagjinare që këta artistë, në këtë film, mundohen të na e pasqyrojnë rrezikun që na kanoset këshu që të mund t’i kuptojmë sa me thjeshtë ato. Këtu më kujtohet një shprehje te një nga esetë e Huxley-t “Faktet nuk pushojnë së ekzistuari sepse ato injorohen.” Të gjitha këto problematika të mbledhura së bashku kanë fuqinë e një komete, e cila godet, vret dhe ajo që ne duhet të bëjmë është të mos i injorojmë dhe të mos jemi indiferentë karshi dukurive natyrore dhe ndryshimeve klimatike që po ndodhin para syve tanë çdo ditë. Këta artistë me zërin e tyre dhe interpretimin e shkëlqyer synojnë të na hapin sytë. Ata shpresojnë që sytë tanë të ngrihen lart që të mund të shikojmë rrezikun që na kanoset nga kriza e klimës dhe të reagojmë. Sot!

Në fakt, edhe Meril Strip e shikon botën me një tjetër sy që kur ka bërë filmin “Mos shiko lart”. Në një intervistë për CNN me Christiane Amanpour ajo është shpreshur se: “Kur e pashë filmin, ndikoi shumë tek unë. Ti e mendon ndryshe botën, mendon dhe vlerëson dhe thua se duhet të bëj diçka.” Mesazhi që Stip ka për të gjithë është: “Nëse ka një gjë që shpresoj të bëjë ky film është të shpresoj që të arrijë tek nënat, gratë dhe gjyshet që janë martuar me njerëzit që ulen në karriget e njëqind korporatave që janë përgjegjëse për shumicën e emetimeve të karbonit, dhe t’u thonë atyre, bashkëshorti juaj është duke ngarë një makinë dhe fëmijët janë në sediljen e pasme. Ata po i japin makinës në drejtim të një shkëmbi vdekjeprurës dhe ju jeni në sediljen e përparme, kështu që ju duhet të kapni timonin. Sepse këto borde korporatash janë kryesisht të përbëra nga burra, të cilët nuk mendojnë fare për të ardhmen e nipërve të tyre.”

Edhe Leonardo Di Kaprio, aktivist shumë i angazhuar në çështjen e ngrohjes globale, kur shprehet për filmin thotë se: “shpesh në karrierën time kam kërkuar një film që ka të bëjë me mjedisin, por shumë njerëz nuk duan të dëgjojnë gjë për këtë çështje e aq më tepër të bësh një film për të është një detyrë edhe më e vështirë për t’u marrë përsipër… Ne jemi duke parë rrezikun e asaj çfarë shkencëtarët na kanë thënë gjatë dekadave të fundit dhe parashikimet janë shumë të sakta …Nuk është se ne nuk po dëgjojmë, thjesht nuk jemi duke ndërmarrë veprimet e nevojshme.”

Ka shumë edicione, artikuj, konferenca, forume, diskutime, debate, dokumentarë etj., që lidhin rrezikun mjedisor me parashikimet e Huxley-t dhe me romanin “Më e mira e botëve”. Filmi “Mos shiko lart” nuk e ka marrë frymëzimin tek kjo novelë, por mund ta themi me siguri se të dyja këto vepra japin një mesazh të fuqishëm që lidhet direkt me çështje sociale dhe politike të kohëve që jetojmë, por kryesisht me ndryshimet klimatike që po ndodhin në planetin tonë, me krizën që vijon si pasojë e këtyre ndryshimeve dhe rreziku ku jemi të gjithë ne.

“Shiko lart!”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>