Dubravka Šuica, europarlamentarja nga Kroacia mund të emërohet Komisionerja e re për Zgjerim e BE-së në ekipin e presidentes së re të Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Megjithëse lajmi nuk është konfimuar ende, portali pavarur i qendrës për politikën bashkëkohore European Western Balkans ka dëgjuar emrin e kroates nga disa burime të ndryshme.
Nëse Dubravka Suica emërohet si Eurokomisionere për Zgjerimin e BE-së, ajo do të zërë vendin e Johannes Hahnit.
Të martën, më 10 shtator, Presidentja Ursula von der Leyen do të prezantojë propozimet e saj për komisionerët e rinj të Komisionin Europian.
Ekipi i ri i Komisionit Europian do të duhet të miratohet nga Parlamenti Europian në tërësi, pas seancave dëgjimore me secilin prej kandidatëve për komisioner.
Në rast se miratohet, mandati i Komisionit të ri Europian fillon më 1 nëntor 2019.
Kush është Dubravka Šuica?
Dubravka Šuica ka studiuar për anglisht dhe gjermanisht në Universitetin e Zagrebit.
Që prej vitit 1990, ajo është anëtare e partisë kroate Bashkimi Demokrat Kroat (HDZ). Ajo punoi si mësuese dhe profesoreshë në universitet deri në vitin 2001 kur u zgjodh kryebashkiake e Dubrovnikut, postin të cilin e mbajti deri në vitin 2009.
Ajo ishte kryebashkiakja e parë grua në Dubrovnik dhe një ndër të parat në qytetet kreyesore kroate.
Që prej vitit 2012 ajo është zëvendespresidente e partisë Bashkimi Demokrat Kroat.
Në vitin 2013, ajo u zgjodh si deputete në Parlamentin Europian për Kroacinë dhe në vitin 2014 gjatë zgjedhjeve europarlamentare, ajo u rizgjodh eurodeputete për një mandat 5-vjeçar.
Në vitin 2019, Dubravka Šuica u zgjodh dhe zëvendës-presidente e grupit parlametar të Partive Popullore Europiane.
Që prej vitin 2016, Dubravka Šuica është Zëvendëskryetare e Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian (AFET), si dhe anëtare e Delegacionit të PE-së për marrëdhëniet mes Bosnje Hercegovinës dhe Kosovës.
Dubravka Šuica është shprehur vazhdimisht pro anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, por ka deklaruar se anëtarësimi i Serbisë deri në vitin 2025 është një pritshmëri jorealiste.
Sipas disa deklaratave të saj, në maj 2019, fillimisht Serbia duhet të dorëzojë një listë të plotë me njerëzit e zhdukur gjatë luftës dhe të kthejë pasuritë e trashëgimisë kulturore.