Kryeministri britanik Boris Johnson nën hetim për pushimet luksoze në Karaibe

Nga Exit News
Kryeministri britanik Boris Johnson nën hetim për pushimet luksoze në Karaibe

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson gjendet nën hetim, pas një debati të hershëm se kush pagoi pushimet e tij në Karaibe me të fejuarën Carrie Symonds, gjatë Krishtlindjeve 2019.

Lajmi u bë i ditur nga Komisioneri Parlamentar për Standardet, Kathryn Stone, e cila konfirmoi të hënën se po hetonte një shkelje të mundshme të kodit të sjelljes.

Sipas raportimit të The Guardian, Johnson kaloi 10 ditë në një vilë luksoze, paguar nga themeluesi i Revistës Carphone dhe donatori konservator, David Ross.

Pas kthimit nga pushimet, ai regjistroi një “përfitim në natyrë” nga Ross me vlerë 15,000 £ për “akomodimin për një pushim privat për veten dhe partnerin tim” në St Vincent dhe Grenadines nga 26 dhjetori i 2019 deri më 5 janar 2020.

Debati u ndez kur një zëdhënës i Ross deklaroi se ata nuk kishin paguar për udhëtimin, përpara se të tërhiqej dhe të pranonte se  e kishin “lehtësuar” udhëtimin.

Kryeministri britanik u kritikua nga nënkryetarja e partisë Laburiste, Angela Rayner, e cila deklaroi se publiku kishte të drejtë të dinte kush kishte paguar pushimet dhe rinovimin e banesës, si dhe “çfarë u janë premtuar apo presin këta donatorë në këmbim të bujarisë së tyre.”

Ajo shtoi se donatorët konservator kishin përfituar shumë kontrata publike së fundmi dhe kjo ngre pyetje nëse Johnson po përdor postin për të sponsorizuar jetesën e vet të shtrenjtë.

Vetëm pak javë Komisioni Zgjedhor akuzoi Johnson se ka thyer ligjin, duke lejuar donatorët e partisë të kontribuojnë fshehurazi në rinovimin e shtrenjtë të banesës së tij.

Skuadra e Johnson nga ana e vet u përgjigj se pushimet ishin “deklaruar në mënyrë transparente” sipas proçedurës.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>