Në një intervistë të botuar, sot, në revistën e famshme GQ, Kryeministri Britanik David Cameron ka folur ndër të tjera për fushatën e një pjese të politikanëve britanikë për të dalë nga BE. Në mënyrë të pashmagshme, ai ka komentuar edhe mbi deklarimet e disa figurave të kësaj fushate se nëse Britania largohet nga BE ajo fare mirë mund të ketë marrëdhënie tregtare me BE-në si ato që ka sot Shqipëria.
Për të diskredituar këtë pretendim, Kryeministri Cameron ka folur me ironi për pozitën e Shqipërisë me BE-në dhe gjendjen e saj. Më poshtë është citimi i plotë i tij.
“Fushata për të dalë nga BE është luhatur nga deklarimi se pas daljes duan të kenë me BE-në marrëdhënie si ato që ka Norvegjia tek ato të tipit të Kanadasë e deri në marrëdhënie të stilit të Shqipërisë, sepse me sa duket Shqipëria paska një pozitë të shkëlqyer tregtare me BE-në. Por në të vërtetë, ajo nuk e ka një pozitë të tillë, për çudi! Ajo ka kuota për eksportin e peshkut [në BE], nëse doni ta dinë me të vërtetë. Por të krahasosh Britaninë, ekonominë e pestë më të madhe të botës, me Shqipërinë, një vend i varfër deri në dëshpërim, i cili ka zënë rradhën për t’u futur në BE, është qesharake.”