Kryebashkiaku i Budapestit, kryeqytetit të Hungarisë, ka njoftuar se do të kandidojë për kryeministër përballë Viktor Orban në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Gergely Karacsony lajmëroi përmes një video-mesazhi në Facebook se do të hyjë në garën paraprake, në shtator dhe tetor, ku do të përzgjidhet kandidati i opozitës për kryeministër.
Karacsony, tha se ai beson se problemi më i madh me të cilin përballet Hungaria është polarizimi që ka përçarë qytetarët e vendit.
Opozita në hungari përbëhet kryesisht nga 6 parti të cilat kanë bashkuar forcat për të larguar nga pushteti partinë Fidesz të kryeministrit Viktor Orban, që ka qeverisur Hungarinë me një shumicë parlamentare që prej 2010.
Karacsony, 45 vjeç, u zgjodh kryebashkiak i Budapestit në 2019, zgjedhje të cilat sollën humbje të mëdha për Fidesz në shumë qytete hungareze.
Opozita akuzon Orban për autoritarizëm duke minuar pushtetin gjyqsor dhe lirinë mediatike përmes ndryshimeve të njëanshme të kushtetutës dhe ligjeve zgjedhore.
Orbán pretendon se Hungaria po ndjek atë që ai quan “demokraci jo-liberale,” të bazuar në konservatorizmin e krishterë dhe refuzimin e fortë të emigracionit.
Zgjedhjet parlamentare në Hungari do të zhvillohen në pranverën e vitit 2022 ndërsa sondazhet e fundit tregojnë se Fidesz dhe koalicioni opozitar janë shumë pranë.