Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, është infektuar me COVID-19, sipas një njoftimi nga zyra e tij.
Javën e kaluar Bettel mori pjesë në mbledhjet e Këshillit të Bashkimit Europian së bashku me udhëheqësit e tjerë të vendeve anëtare.
Në deklaratën e kryeministrisë luksemburgase, thuhet se asnjëri nga 26 udhëheqësit e tjerë të BE-së nuk konsiderohet rast kontakti.
Në Luksembur konsiderohesh rast kontakti kur ke kaluar mbi 15 minuta në një distancë më pak se 2 metra dhe pa maskë me një të infektuar.
Bettel, raportohet se ka simptoma të lehta, përfshirë ethe dhe dhimbje koke.
Ai do të karantinohet për dhjetë ditë në shtëpi.
Bettel ka marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit, në fillim të majit.