Kryeministri britanik Boris Johnson dëshiron që izolimi aktual i vendit “të jetë i fundit”, por paralajmëroi se ai nuk mund të ofronte garanci për një rihapje të kujdesshme të vendit.
Johnson pritet të miratojë një “udhërrëfyes” për heqjen e kufizimeve të koronavirusit më 22 shkurt. Ai theksoi se ka “arsye për besim” me rënie të numrit të të infektuarve dhe më shumë se 15 milion njerëz që kanë marrë dozën e tyre të parë të vaksinës, por çdo rihapje e shoqërisë dhe ekonomisë duhet të jetë graduale.
“Ne duam që përparimi të jetë i kujdesshëm, por edhe i pakthyeshëm,” tha Johnson në një konferencë për shtyp të hënën.
“Qeveria po shqyrton ende të dhënat kryesore mbi ndikimin e programit të vaksinimit në Mbretërinë e Bashkuar në numrat e infektimeve dhe në shtrimet në spital”, shtoi ai.
Gjatë fundjavës, Britania e Madhe në tërësi vaksinoi 15 milion qytetarë në katër grupet e para të përparësisë.
Johnson tha se 90 për qind e atyre të moshës mbi 70 vjeç kanë marrë dozën e parë të vaksinës.