Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç kritikoi Bashkimin Europian se “nuk po bën asgjë” në lidhje me situatën në veri të Kosovës.
“Nuk kam asgjë të mirë për të thënë për sjelljen e Evropës, për sjelljen e BE-së. Unë mendoj se Marrëveshja e Brukselit është çështje e BE-së. Nënshkrimi i saj ndodhet në Marrëveshjen e Brukselit”, tha Bërnabiç për në mediat serbe, raporton REL.
Bërnabiç shtoi se Marrëveshja e Brukselit për lëvizje të lirë midis Kosovës dhe Serbisë “është shkelur qartazi në Kosovë”, sepse në veri “nuk duhet të ketë njësi speciale të policisë”.
Dy pika kufitare me Serbinë, në veri të Kosovës, janë bllokuar nga qytetarët serbë të cilët kundërshtojnë vendimin e qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për targat nga Serbia.
Forca të policisë së Kosovës ndodhen në vendet pranë pikave kufitare për të siguruar zbatimin e vendimit dhe sigurinë e zonës.
Më 25 shtator, Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok u dogj, ndërkaq Qendra për Regjistrim Civil në Zveçan u sulmua. Për këto incidente, Kosova ka fajësuar Serbinë.
SHBA, BE dhe NATO i bënë thirrje Beogradit dhe Prishtinës të ulin tensionet dhe të zgjidhin çështjen me dialog.
Kosova thotë se është gati të bisedojë dhe të heqë kërkesën për targa të përkohshme nëse Serbia bën të njëjtën gjë.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka refuzuar zgjidhjet e propozuara dhe ka deklaruar se do të ulet në dialog vetëm pasi Kosova të tërhiqet nga masa ndaj targave serbe.
Një marrëveshje e vitit 2016 midis Kosovës dhe Serbisë lejoi që makinat nga të dy vendet të udhëtojnë lirshëm.
Marrëveshja skadoi më 15 shtator 2021. Serbia kurrë nuk e respektoi atë dhe kërkoi që makinat e Kosovës të zëvendësonin targat me targa të përkohshme serbe në kufi. Përkundrazi, Kosova i lejoi makinat e licencuara serbe të udhëtojnë lirshëm.
Pasi skadoi marrëveshja, Kosova vendosi të njëjtin rregull si Serbia, duke kërkuar që makina me targa serbe të hynin në vend për të marrë targa të përkohshme të Kosovës në kufi.