Kryesia e Partisë Demokratike vendosi të analizojë të premten atë, që e cilëson si “masakra” e zgjedhjeve të 25 prillit.
Analiza do të realizohet në të gjitha nivelet lokale të partisë, duke nisur nga seksionet e deri në nivel qarku.
Sipas dokumentit, të siguruar nga BalkanWeb, drejtuesi Politik i Qarkut bashkëpunon me degët e partisë që brenda datës 1 korrik, të paraqesin analizën e rezultatit të zgjedhjeve për çdo seksion dhe grupseksion.
Për këtë qëllim, në çdo degë, do të ngrihet një grup pune, që ka në përbërje kryetarin, sekretarin e degës, nënkryetarët, sekretarin organizativ dhe sekretarin për çështjet zgjedhore të degës.
Përpara dorëzimit të Raportit, Grupi i Punës informon Kryesinë e Degës për të dhënat e përgjithshme të analizës, dhe përfshin mbrapsht në raport çdo vlerësim apo konstatim të saj.
Brenda datës 5 korrik duhet të përgatitët raporti në nivel qarku dhe brenda 10 korrikut ai duhet t’i dorëzohet për shqyrtim Kryesisë së Partisë.
Prej datës 11 korrik deri në 31 gusht, Sekretari Organizativ analizon performancën e të gjitha niveleve lokale të partisë, evidenton mangësitë dhe ku është nevoja për të rritur performancën.
Këtë informacion ai më pas ia paraqet Kryesisë së Partisë në 1 shtator dhe propozon, sipas rastit, zhvillimin e zgjedhjeve të reja në strukturat vendore të Partisë.
Sipas vendimit të Kryesisë të premten, i gjithë procesi i analizës dhe ristrukturimi i partisë duhet të mbyllet më 30 shtator të këtij viti.