Shtetet Anëtare të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar duhet të konsiderojnë rehabilitimin e shqiptarëve që i kanë mbijetuar trafikimit njerëzor në vendin ku janë shpëtuar dhe të mos kthehen në shtëpi. Kështu ka thënë Petija Nestorovas, Sekretare Ekzekutive e Konventës së Këshillit të Europës për Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore (GRETA).
“Është e rëndësishme të merren në konsideratë të gjitha rreziqet përpara se t’i dërgoni përsëri në Shqipëri, rreziqe që siç ju përmendët [stigma, ritrafikimi, refuzimi nga familja, përjashtimi social, varfëria, frikësimi / ngacmimi] janë rreziqe shumë reale. Në Francë, grave u është dhënë azil pasi janë trafikuar sepse kthimi në Shqipëri shihet si rrezik… kjo praktikë duhet të përdoret më shumë,” tha ajo gjatë një interviste me Exit News.
Ajo shtoi se ka nevojë që vendet nga trafikohen njerëz, të tilla si Shqipëria, të komunikojnë më shumë me vendet e mbërritjes.
“Ata duhet të flasin me njëri-tjetrin më shumë, sepse kthimi i grave në vendet ku do të veçohen nga shoqëria nuk është një mënyrë për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore. Ata kanë përgjegjësi të flasin për këtë,”shtoi ajo.
Raporti i tretë GRETA i Këshillit të Evropës, i botuar javën e kaluar, zbuloi se duhet ende shumë punë në zbatimin e Konventës. Që nga raundi i mëparshëm i vlerësimit, disa ligje janë ndryshuar për të forcuar të drejtat dhe pozicionin e viktimave të krimit. Pavarësisht kësaj, Shqipëria mbetet kryesisht një vend origjine për viktimat e trafikut njerëzor, dhe ka gra dhe vajza që trafikohen për shfrytëzim seksual.
Madje, numri i viktimave të trafikimit të brendshëm është në rritje, veçanërisht në lidhje me fëmijët e trafikuar për shfrytëzim seksual, për të lypur ose për të punuar në fermat e kanabisit. Gjysma e të trafikuarve ishin fëmijë.
Një tjetër problem i madh me të cilën përballen të mbijetuarit e trafikimit është mungesa e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve. Në letër, ligjet për të mbrojtur viktimat kur ato dëshmojnë, duken gjithëpërfshirëse. Në realitet ama, ligji është përdorur vetëm një herë. Kjo çon në një situatë ku të mbijetuarit ose janë në rrezik nëse dëshmojnë, ose traumatizohen sërish, ose janë shumë të frikësuar për t’u përballur me trafikantin e tyre.
Kjo çon në mungesë të hetimeve dhe ndjekjeve penale, më pak dënime dhe më shumë autorë veprash penale.
“Ekzistojnë dispozita për mbrojtjen e dëshmitareve dhe mbrojtjen gjatë gjykimeve, por thjesht nuk ka ndonjë provë që kjo ndodh,” tha Nestorova.
“Kjo ka një ndikim në shkallën e ndjekjeve penale të suksesshme, që siç dihet është mjaft e ulët. Në vendet ku të mbijetuarit ndihmohen më shumë, ata i kapërcejnë këto çështje dhe rezultatet janë më të mira ”, shtoi ajo.
Raporti vuri në dukje me shqetësim se kishte një numër të ulët dënimesh për veprat e trafikimit të qenieve njerëzore. Ai u kërkon autoriteteve të marrin më shumë masa për të siguruar hetimin e çështjeve.
Një shembull tjetër i ligjeve që nuk zbatohen është në lidhje me të drejtën e të mbijetuarve për të pasur kompensim nga shteti. Nestorova shpjegon se për disa vite ka ekzistuar mekanizmi ligjor që të mbijetuarit të kërkojnë dëmshpërblim. Ky fond supozohet të vijë nga konfiskimi i pasurive të trafikantëve.
“Ka fitime të mëdha në trafik, por ne nuk po shohim asete të ngrihen ose konfiskohen ose të mbijetuarit të dëmshpërblehen. Kjo është një çështje e qartë e zbatimit problematik… vetëm një i mbijetuar nga qindra ka marrë kompensim. ”
Ajo shtoi se ka disa ligje të mira në letër, siç është ligji mbi konfiskimin e pasurive dhe parandalimin e krimit të organizuar, por autoritetet duhet t’i zbatojnë ato në realitet.
Përveç rekomandimeve në raporte, Nestorova beson se duhet të ketë një “kuptim më të thellë të asaj që do të thotë të jesh një i mbijetuar i trafikimit në Shqipëri. Qeveria duhet të dëgjojë të mbijetuarit dhe ato që kanë për të thënë, dhe pastaj t’i reflektojë ato në procedura, në mënyrë që ata të informohen vërtet nga përvojat e tyre.”
Ndërsa është ngritur një Bord Këshillëdhënës për Viktimat, roli i tij duhet të forcohet dhe promovohet për të ndihmuar gratë të kapërcejnë turpin dhe stigmën dhe të kuptojnë se nuk janë vetëm.
Në temën e rekrutimit, Nestorova shpjegoi se si mediat sociale po ndryshojnë mënyrën e shfrytëzimit të të mbijetuarve. Këshilli i Evropës po studion më shumë çështjen dhe po ndërlidhet me kompanitë e mediave sociale për të luftuar çështje të ndryshme, duke përfshirë rekrutimin e trafikimit njerëzor dhe gjuhën e urrejtjes.
Të rinjtë shpesh janë në shënjestër përmes mediave sociale, pasi kalojnë më shumë kohë në telefon. Pandemia dhe bllokimi i COVID-19 ka rritur më tej përdorimin e tyre dhe e ka bërë më të lehtë për trafikantët t’i piketojnë ata. Rekrutimi vjen në formën e ofertave të punës, agjencive të rekrutimit, faqeve të modelimit apo djemve joshës që premtojnë dashuri të përjetshme për të fituar besimin e tyre.
Nestorova shpjegoi se ka shumë për të bërë për të edukuar të rinjtë, fëmijët dhe familjet se si të komunikojnë në mënyrë të sigurtë në internet. Sa i përket qeverisë, GRETA u ka kërkuar atyre që të skanojnë platformat dhe të kërkojnë në mënyrë aktive për trafikantë njerëzish që rekrutojnë përmes mediave sociale.
“Duhet bërë shumë më tepër për t’u siguruar që nuk po funksionojnë”, tha ajo.
Së fundmi, në temën e reformës gjyqësore dhe procesit të vazhdueshëm të verifikimit, ka shqetësime se ekziston një “humbje e burimeve njerëzore”, e cila rrezikon tësjellë një situatë ku nuk ka gjyqtarë me përvojë dhe të aftë të merren me çështje të trafikimit njerëzor.
Në një intervistë të mëparshme me Drejtorin e një strehe për viktimat e trafikimit në Shqipëri, vihet në dukje se pothuajse gjysma e grave që mbijetuan kalvarin e tyre u refuzuan nga familjet e tyre. Kjo çon në përjashtim shoqëror, turp, papunësi, varfëri, depresion dhe probleme me riintegrimin. Gjithashtu, kjo situatë i vë ato në rrezik për t’u trafikuar brenda ose jashtë vendit.