Kuba miratoi vaksinën e dytë kundra koronavirusit të prodhuar në vend. Vendi po përpiqet të prodhojë një vaksinë të tijën për t’i dhënë fund pandemisë dhe për ta shitur vaksinën jashtë vendit.
Kuba, e cila ka përvojë të gjatë me prodhimin dhe eksportimin e vaksinave, është një ndër vendet e pakta në botë që nuk ka filluar vaksinimin kundër COVID, pasi po pret vaksinat e prodhuara nga kompanitë vendase.
Këtë muaj, Kuba filloi fazën e fundit të testimit të vaksinës së saj, të quajtur Soberana (Sovraniteti) 2.
Autoritetet do të fillojnë të rekrutojnë rreth 48,000 vullnetarë midis moshave 19 dhe 80 vjeç në zonat lindore të Kubës për një provë të rastësishme.
Studimi do të përfundojë në korrik, dhe rezultatet e para do të botohen në gusht.
Kuba po kalon valën e saj më të keqe të koronavirusit që nga fillimi i pandemisë pasi hapi kufijtë në fund të vitit të kaluar.
Ishulli me 11 milion banorë shënoi 600-1,000 raste të përditshme, shumë më shumë se sa shifrat e deklaruara gjate 2020.
Qeveria është zotuar të vaksinojë të gjithë popullsinë këtë vit me një nga pesë vaksinat eksperimentale që po prodhohen nga kompanitë vendase.