Kukës, protestë për lirimin e protestuesve të arrestuar

Kukës, protestë për lirimin e protestuesve të arrestuar te arrestuarit 2

Nesër, më 19 prill, Këshilli Bashkiak i Kukësit dhe qytetarët do të protestojnë për lirimin e kukësianëve të arrestuar pas protestës në Rrugën e Kombit.

Protesta do të zhvillohet në orën 11:00, përpara Gjykatës së Kukësit.

Këshilltarët shprehen se arrestimet dhe ndalimet e 23 personave janë bërë në mënyrë të paligjshme nga policia, ndaj ata duhet të lihen të lirë.

23 protestuesit akuzohen për “shkatërrim të pronës”; “shkatërrim të pronës me zjarr”; “kundërshtim të punonjësve të policisë” dhe “kryerjen e veprimeve arbitrare” gjatë protestës kundër vendosjes së tarifave për kalimin e rrugës Milot-Morinë.

Por gjatë ditëve të fundit, në media janë bërë publike prova se si procesverbalet e Prokurorisë dhe Policisë janë fallsifikuar —në procesverbale dhe flet-arrestet e policisë nuk është shënuar ora e saktë e arrestimit në Kukës, por ora e arritjes në Tiranë.

Ky veprim i prokurorisë dhe policisë është në kundërshtim me nenin 255, pika 1 të Kodit të Procedurës Penale (KPP), i cili parashikon se:

“Data, ora dhe emri i oficerit të policisë gjyqësore që ka kryer arrestimin ose ndalimin shënohet në procesverbal.”

11 nga 23 protestuesit ndodhen aktualisht në burg, pas vendimit të gjykatës për masën e arrestit, marrë më 4 prill.

Për 10 të tjerë gjykata ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, ndërsa për dy të tjerë “arrest shtëpiak”.

 

Lajme te ngjashme