Futbolli shqiptar mund të bashkohet në turneun për Kupën Nënë Tereza, që federatat e Shqipërisë (FSHF) dhe Kosovës (FFK) po përpiqen të organizojnë.
Sikurse raporton gazetari Endi Tufa për Top-Channel, ideja “ka vënë në lëvizje federatat për të krijuar edhe një bazë të shëndoshë ekonomike”.
Ideja angazhon rreth 100 klube nga të gjitha kategoritë e futbollit në Shqipëri dhe Kosovë. Ndeshjet mendohet të organizohen me 6 javë fazë eliminatore, për t’u luajtur në periudhën mars-qershor dhe fazaën finale – 1/16, 1/8, çerek-finale, gjysmëfinale dhe finale – për t’u luajtur pas muajit shtator.
Organizimi i ndeshjeve mendohet të bëhet në momentet e pushimit të kampionateve nga aktiviteti i përfaqësueseve. Për gjysmë-finalet dhe finalen nuk është vendosur ende nëse do të luhen në Tiranë apo në Prishtinë.
Gazetari Tufa thotë se FSHF dhe FFK kanë përllogaritur mbi 730 mijë euro për t’iu shpërndarë klubeve për të gjitha ndeshjet që do të luajnë.
Për secilën ndeshje parashikohen shpërblime nga 3,500 euro deri në 5,000 euro në varësi të fazës së turnout. Sipas përllogaritjeve, ekipi i cili do arrijë të kalojë të gjitha fazat deri te fitimi i kupës, do të përfitojë në total rreth 150,000 euro.
Në total organizimi i turneut mendohet të kushtojë 1,5 milionë euro. Projekti është dorëzuar që në dhjetor në UEFA dhe nga mediat e rajonit është përcjellë si organizim që “do të inatosë Serbisë“.