Kurajon do e gjejmë hap pas hapi

Nga Jona Plumbi
Kurajon do e gjejmë hap pas hapi

“Shqiptarët janë mësuar t’i marrin me ‘sportivitet’ padrejtësitë e përditshme, në mënyrë që të mos çmenden prej tyre.”  Një e vërtetë e madhe e shoqërisë sonë, e thënë thjesht.

Ky pohim i një gazetari të huaj në një artikull për ne, më është ngulur thellë në mendje dhe më trishton. Jo sepse mësova diçka që nuk e dija, por sepse këtë të vërtetë e dimë thuajse të gjithë dhe prapë askush nuk bën (dot) asgjë.

Ditë më parë lexova një tjetër lajm. Këtë herë mbi një mjek i cili, ndryshe nga çdo pritshmëri, denoncoi publikisht një skandal shtetëror.

Fillimisht u ndjeva dyshuese. Si është e mundur që një mjek po akuzon qeverinë për një krim të shëmtuar, që normalisht duhet të sjellë reagimin e shumë njerëzve, pa i’u trembur rrezikut që i vjen nga veprimi i tij?

Mendova se kush mund t’a kishte kurdisur këtë denoncim dhe me çfarë qëllimi të fshehur, sepse ajo që dukej nuk mund të ishte aq, apo jo?

Vetëm më pas kuptova se lajmi, në gjithë çfarë pasoi këtë deklaratë, është se Artan Koni doli me fytyrën e tij, në vendin e punës së tij, për të denoncuar me shifra një urdhër direkt të Ministrisë së Shëndetësisë.

Pra, lajmi ishte – fillimisht – guximi i tij. Por Koni nuk u mjaftua me kaq.

Për herë të dytë, ai u shfaq në një tjetër video, këtë herë për të njoftuar mbështetjen e një grupi qytetarësh, të cilët nën thirrjen #bashkohu, kanë vendosur të reagojnë.

Nisma Thurje paraqiti edhe një peticion përpara Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore. 50,000 firma që kërkojnë ndryshimin e sistemit elektoral në propocional me lista të hapura.

Kjo thirrje për ndryshim sistemi është degjuar edhe më parë nga kryetarë partish, por – si përherë – askush nuk bëri (dot) asgjë.

50,000 firmat me shumë gjasa nuk do merren në konsideratë. Madje dështim mund të jetë e gjithë kjo nismë, por ajo që është më e rëndësishmja, më shumë se vetë sistemi propocional me lista të hapura, është fakti se dikush nisi të bëj diçka.

“Kurajon do e gjejmë hap pas hapi, së bashku” – thotë Koni në fund, në videon e dobët për nga imazhi, ndriçimi dhe çdo elementi tjetër imazhi, por e mbushur me substancë, thirrje dhe reagim qytetar.

Të panjohur për publikun e gjerë, ky grup njerëzish po mundohet të bëj diçka që i drejtohet në fillim njerëzve, pastaj bashkë me ta edhe pushtetit, qeverisë. Po përpiqen të tregojnë se mund të bëhet diçka, të kuptojnë çfarë është gabim dhe të mendojnë se si mund të bëhet më mirë. Diskutojnë në takime të hapura probleme dhe zgjidhje të mundshme.

Pavarësisht nëse bie dakort me çfarë ata thonë apo propozojnë, nëse beson se do të sjellin ndryshim të prekshëm apo jo, me rëndësi është që kjo nismë vlen si një shembull i mirë – shembulli i bashkimit për të kërkuar llogari lirisht dhe për të sjellë ndryshim aty ku shkelen të drejtat.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>