Qeveria e Serbisë mund të jetë duke planifikuar zhdukjen e shtetit të Kosovës përmes mbështetjes të një projekti të Shqipërisë së Madhe. Qysh nga ndarja e Jugosllavisë, zyrtarët e Beogradit kanë provuar mënyra të ndryshme për të zgjidhur në mënyrë të përhershme marrëdhëniet problematike mes serbëve dhe shqiptarëve dhe të eliminonin përfundimisht “çështjen e Kosovës”. Përqëndrimi i tanishëm tek ndarja territoriale mund të kuptohet nën këtë këndvështrim strategjik.
Të gjithë udhëheqësit serbë, që nga Sllobodan Milosheviçi, i kanë rezistuar idesë së negocimit me autoritetet në Prishtinë, dhe janë dorëzuar vetëm për shkak të presionit nga BE-ja dhe SHBA-të. Ata preferojnë të merren me Tiranën, dhe duke anashkaluar Prishtinën qëllimisht kërkojnë të minojnë legjitimitetin e shtetit të Kosovës dhe zyrtarëve të tij.
Ka pasur raste kur Tirana ka rënë në këtë kurth diplomatik, pavarësisht se ajo e ka mbështetur vendosmërisht pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Në nëntor 2014, Kryeministri Edi Rama bëri një vizitë historike në Serbi, e para për një kryeministër shqiptar në 68 vjet, duke i hapur rrugë normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Kjo u pasua, disa muaj, më vonë nga vizita e parë e një kryeministri serb në Tiranë, kur Aleksandar Vuçiç udhëtoi për në Tiranë.
Këto vizita janë të rëndësishme për të nxitur stabilitetin rajonal, por ato mund të fshehin dhe një axhendë përçarëse.
Drejtuesit e të dy partive të mëdha në Tiranë kanë deklaruar herë pas here se ata janë udhëheqësit e të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Këto deklarata, të bëra zakonisht gjatë fushatave zgjedhore, mund të kenë si qëllim të ofrojnë mbështetje për komunitete të ndryshme shqiptare, por ato pa dashje mund të ndihmojnë Beogradin në minimin e pozicionit të Prishtinës.
Politikanët në Kosovë nuk duan të prishen me kundërpalët e tyre në Tiranë, dhe megjithëse e shikojnë Shqipërinë si mëmëdheun e tyre historik, ata nuk i konsiderojnë politikanët e saj si “vëllezërit e mëdhenj”.
Beogradi do të merrte konsideratë thuajse çdo alternativë për të shmangur njohjen e Kosovës shtet i pavarur. Pasi ka dështuar për ripërfshirjen e territorit të sja brenda Serbisë apo për ta përjashtuar Kosovën nga arena ndërkombëtare, Beogradi i është rikthyer konceptit të “Shqipërisë së Madhe” në shërbim të interesave serbe.
Ndarja e Kosovës dhe bashkimi i shumicës së territorit me Shqipërinë do të arrinte disa objektiva.
Së pari, për konsumin e brendshëm, qeveria serbe mund të deklarojë se Serbia në fakt ka përfituar duke marrë zonat me shumicë serbe, pa njohur të drejtën e Kosovës për të qenë shtet. Këto ndryshime kufijsh sigurisht do të siguronin një kohezion dhe homogjenizim më të madh etnik dhe do t’u mundësonte serbëve të përqendroheshin në të ardhmen e Bosnjë-Hercegovinës. Projekti i “Serbisë së Madhe” do të merrte shtysën më të madhe qysh nga rënia e Milosheviçit.
Së dyti, për audiencën e BE-së Beogradi mund të deklarojë një arritje në stabilizimin e Ballkanit duke farkëtuar një pakt jetëgjatë Beograd-Tiranë. Kjo do ta ndihmonte qeverinë serbe në përparimin e synimit të saj për anëtarësim në BE dhe do tërhiqte pas vetes edhe Uashingtonin, i cili është në kërkim të zgjidhjeve të përhershme rajonale pas marrëveshjes historike Shkup-Athinë.
Së treti, negociatat për një marrëveshje Beograd-Tiranë, të përshkruara si një traktat historik “ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, do t’i shërbenin një objektivi tjetër edhe nëse ata do të dështonin, duke sjellë përçarje mes shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri. Askush nuk mund të hamendësojë se marrëdhëniet mes Tiranës dhe Prishtinës do të jenë gjithmonë pa probleme. Një pakënaqësi nën sipërfaqe ndaj dominimit gjuhësor dhe kulturor tosk, që shfaqet herë pas here, mund të dalë në sipërfaqe nëse Kosova ndjen se po trajtohet si një partner i dorës së dytë.
Ka gjithashtu edhe një llogaritje racionale politike në faktin se një marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Tiranës, duke mbikaluar Prishtinën, mund të mënjanojë udhëheqësit e Kosovës dhe dobësojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Shteti i ri Kosovar do të shihej thjesht si një provincë e Shqipërisë dhe jo si një partner i barabartë.
Mbështetja në Prishtinë për një konfederatë me shumë pavarësi mes Shqipërisë dhe Kosovës apo një bashkim si rezultat i procesit të integritmit në BE, i cili shkrin kufijtë, nuk parashikojnë aneksim të drejtpërdrejtë.
Një marrëveshje Serbi-Shqipëri mbart në vetvete, gjithashtu, kërcënime për shtetet e tjera fqinje, veçanërisht për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Popullsia shqiptare në jugun e Malit të Zi mund të nxitet për t’u ndarë nga Mali i Zi për “t’iu bashkuar mëmëdheut” dhe të përdoret si një pykë ndaj qeverisë së Podgoricës për ta riintegruar Malin e Zi në një shtet më të madh serb. Në Maqedoninë e Veriut, çdo bashkim territorial ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës mund të rigjallërojë fantazmat e separatizmit në radhët e popullsisë shqiptare në pjesën perëndimore të vendit, madje deri edhe në Shkup.
Në një botë ideale, Shqipëria, Kosova dhe Serbia do të shkonin drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE, ku kufijtë do të pushonin së qeni tregues të rëndësishëm të ekskluzivitetit etnik. Por ky nuk është rajon ideal dhe vetë Evropa në përgjithësi është duke u tronditur nga kërkesa gjithnjë e më të shumta për kufij etnikë.
Artikulli u botua fillimisht në Gazetën Dita. Titulli është i Exit.al.