Kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë? Kjo pyetje e cila ka marrë gjithnjë përgjigje në këto 27 vite me rezultatin e zgjedhjeve duket këtë herë më e komplikuar. Hapja e betejës elektorale dhe sidomos mungesa e koalicioneve, për herë të parë në Shqipëri mund të krijojë një situatë ndryshe. Një situate ku Kryeministri nuk është produkt i rezultatit direkt, por i kombinimit të numrave. Diçka e ngjashme me Maqedoninë, ku Gruevski fitoi zgjedhjet, por kjo fitore nuk ishte e mjaftueshme për ta ulur në zyrën e kreut të ekzekutivit.
Po cilët janë skenarët e mundshëm? Çfarë kombinimesh të natyrshme mund të vihen në lëvizje dhe cilat janë shanset reale për secilin. Nuk ka asnjë dyshim që deciziv do të jetë rezultati i zgjedhjeve dhe ajo parti që do të renditet e para. Po i marr një nga një skenarët.
Mundësia e parë është që një parti t’i fitojë e vetme zgjedhjet. Pra të dalë nga votimi me 71 vende në parlament dhe të ketë sipas kushtetutës të drejtën që të formojë qeverinë. Ky është skenari ideal, po më pak i mundshëm. Në këtë skenar mund të llogaritet vetëm PS ose PD, pra dy partitë e mëdha. Por duket e vështirë. Më 2009 në kulmin e saj, PD mori vetëm 70 vende në parlament, ndërsa në 2013, po në kulmin e saj, PS mori vetëm 66. Asnjë nga dy forcat nuk duket në situatë më të favorshme se sa atëherë ndaj skenari i një force me 71 vota mbetet mundësi teorike, por praktikisht e vështirë.
Skenari i dytë është që PS dhe PD t’i bashkojnë votat. Ashtu sic është komentuar së fundmi, marrëveshja Rama – Basha shihet edhe si një angazhim bashkëqeverisës pas zgjedhjeve të 25 Qershorit. Në këtë rast, formula është e qartë. Partia e parë merr Kryeministrin ndërsa qeveria ndahet thuajse barabartë mes dy forcave kryesore. Ky koalicion i gjerë, që ka funksionuar në Kosovë apo Serbi në rajon, duket pak i vështirë sepse e lë vendin pa opozitë. Në Gjermani, ku kjo formulë është ende në fuqi, institucionet indipendente janë shumë më të forta dhe zbatimi i ligjit po ashtu.
Skenari i tretë është kombinimi i votave të njërës prej partive të mëdha me ato të LSI dhe PDIU. Nëse asnjëra nga partitë e mëdha nuk merr 71 vende dhe LSI apo PDIU marrin aq mandate sa i duhen njërës për të krijuar qeverinë, atëherë qeverisja mbetet në dorë të tyre. Pra në këtë skenar, pyetja është, kujt do jenë të gatshëm Meta dhe Idizi t’i japin votat e tyre për ta bërë Kryeministër? Ramës, me të cilin qeverisën këto 4 vite, por që duket se janë ndarë në mënyrë nervoze, apo Bashës, me të cilin kanë pasur një marrëdhënie distante. Meta duke qenë President mund t’ja japë votat e tij Bashës për të ndëshkuar Ramën. Sepse Ramën e mendon më të fuqishëm dhe më të pakontrolluar se sa Bashën.
Gjithsesi, të gjithë këto janë thjeshtë skenarë. Por një gjë është e sigurtë, kombinimi i pas zgjedhjeve do jetë më i vecanti dhe më ndryshe nga gjithë kombinimet e tjera që kanë prodhuar zgjedhjet në Shqipëri. Dhe këto do të jenë zgjedhjet e para, ku gjithsecili, do të marrë atë që meriton!