Çfarë është dhe kush e mbështet grupin ushtarak Hamas?

Nga Exit News
Çfarë është dhe kush e mbështet grupin ushtarak Hamas?

Hamasi ka kontrolluar Rripin e Gazës që nga viti 2007, duke sulmuar vazhdimisht Izraelin. Por ku i gjen grupi terrorist paratë dhe furnizimet për t’i bërë sulmet?

Në të kaluarën, shumë media gjermane i janë referuar Hamasit si një organizatë radikale islamike. Kohët e fundit, gjatë shpëthimeve të luftës Izrael-Gaza, media i është referuar Hamasit si një grup terrorist islamik.

Disa vende perëndimore, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë klasifikuar Hamasin si një organizatë terroriste. Me përjashtim të Norvegjisë dhe Zvicrës, që ruajnë një pozicion rreptësisht neutral dhe mbajnë lidhje diplomatike me organizatën.

Një historik i shkurtër i Hamasit

Hamas u themelua në vitet 1980 dhe ka punuar kundër organizatës së t Yasser Arafat për Çlirimin e Palestinës (PLO) që nga fillimi i saj. Ka pretendime se qeveria izraelite ka ndihmuar financiarisht Hamasin, në kohët e formimit, për të krijuar një kundërpeshë ndaj PLO – megjithëse të gjithë aktorët në fjalë mohojnë që Izraeli të ketë luajtur ndonjë rol në krijimin e organizatës.

Ndryshe nga PLO, Hamas nuk e njeh Izraelin si shtet të pavarur. Emblema e saj përmban kupolën e Shkëmbit në Jeruzalem dhe skicën e territorit të Izraelit, Gazës dhe Bregut Perëndimor si një shtet i vetëm palestinez.

Në vitin 1993, Arafat bëri paqe me Izraelin në kontekstin e Marrëveshjeve të Oslos, duke i dhënë fund përplasjeve. Hamasi refuzoi procesin e paqes dhe vazhdoi sulmet e tij terroriste kundër Izraelit.

Në vitin 2006, Hamas fitoi shumicën absolute në zgjedhjet e përgjithshme të Gazës. Në vitin 2007, ai forcoi qëndrimin në Gaza përmes një grushti shteti të dhunshëm. Që nga ajo kohë, Bregu Perëndimor u kontrollua nga partia e moderuar Fatah nën Mahmoud Abbas, ndërsa Gaza ka mbetur nën kontrollin e Hamasit.

Hamas ka vazhduar luftën kundër Izraelit nga Brezi i Gazës, duke pretenduar se po vepron në “vetëmbrojtje”. Organizata u angazhua në luftime të rënda kundër forcave të armatosura të Izraelit në 2008/09, 2012 dhe 2014.

Cila është situata në Rripin e Gazës?

Rripi i Gazës është një nga territoret më të populluara në botë. Kufijtë e saj të kontrolluar fort me Izraelin dhe Egjiptin, së bashku me kufirin detar, kanë izoluar kryesisht ekonominë. Pjesë të mëdha të popullsisë në Gaza jetojnë në varfëri të madhe dhe varen nga mbështetja humanitare nga jashtë.

Hamasi shpesh qëllon me raketa në drejtim të Izraelit nga zonat e banuara. Ata përdorin civilët si mburoja njerëzore. Hamasi ka hapur fshehurazi tunele nëntokësore për të kontrabanduar armë në enklavë, kryesisht nga Egjipti. Qeveria egjiptiane, megjithatë, ka qenë duke e luftuar këtë veprimtari.

Kush e mbështet Hamasin?

Katari është mbështetësi më i rëndësishëm financiar dhe aleati i huaj i Hamasit. Emiri i Katarit, Sheik Hamad bin Khalifa al-Thani ishte udhëheqësi i parë i shtetit që vizitoi qeverinë e Hamasit në 2012. Deri më tani, emirati ka transferuar 1.5 miliardë euro (1.8 miliardë dollarë) në Hamas. Izraeli, ndërkohë, shpreson që Katari të bashkohet me Marrëveshjet Abraham të ndërmjetësuara nga SHBA dhe të vendosë marrëdhënie diplomatike me të, siç kanë bërë tashmë një numër shtetesh arabe.

Hamasi mbështetet gjithashtu nga Turqia. Në bisedimet pak para se Hamasi të niste sulmet me raketa kundër Izraelit, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shprehu mbështetje politike për udhëheqësin e tij Ismail Haniyeh.

Organizata mbështetet gjithashtu nga një sërë iniciativash dhe fondacionesh joshtetërore, disa prej të cilave janë të bazuara në Gjermani. Sipas të përjavshmes gjermane Der Spiegel, donacionet për Hamasin nga grupet me bazë në Gjermani janë në rritje.

Ku i siguron raketat Hamas?

Numri i raketave të hedhura nga Rripi i Gazës në Izrael ka arritur një nivel të paparë këto ditët e fundit. Të martën, Hamas tha se lëshoi ​​130 raketa brenda pak minutash.

Të premten, ushtria izraelite njoftoi se më shumë se 1,800 raketa ishin lëshuar nga Gaza.

Për shumë vite, Hamasi u mbështet në raketat e furnizuara nga Irani. Fabian Hinz, një ekspert në teknologjinë e raketave të Lindjes së Mesme, i tha transmetuesit publik gjerman ZDF se grupe të ndryshme me bazë në Gaza kanë zgjeruar arsenalet e tyre të raketave. Ai tha se ata posedojnë mijëra raketa – siç kanë konfirmuar mediat izraelite.

Këtë javë, The Jerusalem Post citoi burime të inteligjencës izraelite që vlerësuan se arsenali i Hamasit përmbante 5,000 deri në 6,000 raketa. Grupi militant palestinez Xhihadi Islamik, i cili bashkëpunon me Hamasin, besohet të ketë grumbulluar edhe 8,000 raketa të tjera.

Hinz tha se raketat iraniane kaloheshin në Gaza përmes Sudanit dhe më pas Egjiptit. Që nga rrëzimi i diktatorit Sudanez Omar al-Bashir në 2019, megjithatë, kjo është bërë më e vështirë. Besohet se me ndihmën e jashtme, Hamasi tani prodhon shumicën e raketave të tij brenda enklavës bregdetare.

Publikuar nga Deutche Welle/Përkthyer nga Exit News

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>