Kush mund të jetë presidenti i ardhshëm i Parlamentit Evropian?

Nga Exit News
Kush mund të jetë presidenti i ardhshëm i Parlamentit Evropian?

Parlamenti Evropian po përgatitet për një garë të fortë kandidatësh për postin e presidentit, në zgjedhjet e 17 janarit.

Një garë që dikur shihej si e paracaktuar, papritmas është hapur, nga pandemia, lëvizjet e brendshme dhe zgjedhjet e fundit gjermane.

Deri më tani, asnjë kandidat nuk është deklaruar zyrtarisht, por manovrat e brendshme kanë filluar.

Katër kandidatë po diskutohen për postin e presidentit të ardhshëm.

David Sassoli

Presidenti aktual i Parlamentit Europian, David Sassoli pritet të kandidojë për një mandat të dytë.

Sassoli, një socialdemokrat italian, u bë president i Parlamentit në vitin 2019 si pjesë e një marrëveshjeje të gjerë për të përfunduar vendet kryesore të punës në BE. Sipas marrëveshjes, Sassoli pritej të mos rikandidonte kur të mbaronte mandati i tij, në mënyrë që një konservator të merrte detyrën.

Por emri që pritej të pasonte Sassolin, Manfred Weber ka përjashtuar mundësinë e kandidimit për postin e presidentit të PE.

Sassoli u zgjodh eurodeputet në 2009, ndërsa më parë punonte si gazetar televiziv. Nëse kandidatura e tij zyrtarizohet ai pritet të marrë mbështetje nga grupi i socialdemokratëve në PE, grupi i dytë më i madh.

Roberta Metsola

Metsola mund të mos e ketë shpallur publikisht kandidaturën e saj, por llogaria e saj në Twitter flet vetë.

Një ish-avokate dhe e diplomuar në Kolegjin e Evropës, Metsola, 42 vjeç, është një produkt i botës së Brukselit. Ajo shërbeu si atashe ligjore në zyrën e BE-së në Maltë nga viti 2004 deri në 2012, dhe si këshilltare ligjore e Catherine Ashton, ish-diplomatja kryesore e BE-së.

E zgjedhur për herë të parë në Parlamentin Evropian në 2013, Metsola u bë një nga deputetet e para femra të Maltës, si dhe një nga njerëzit kryesorë të Partisë Popullore Europiane dhe PE për migracionin.

Megjithatë, disa eurodeputetë, përfshirë disa në grupin e saj të PPE, pranuan se të kesh një president nga Malta – një vend me vetëm gjashtë eurodeputetë – është disavantazh. Presidentët e parlamentit shpesh kanë ardhur nga vendet e mëdha të BE -së si Gjermania ose Franca, ose nga një prej vendeve themeluese të bllokut si Holanda.

Esther de Lange

Me një karrierë të gjatë në partinë holandeze Demokristiane, CDA, de Lange, 46 vjeç, u zgjodh si eurodeputete në 2007.

Si anëtare e komitetit të Parlamentit për mjedisin, ajo u përfshi në hartimin e pozicionit të PPE për ndryshimin e klimës, gjë që kritikët e quajtën si tepër të paqartë. Ajo gjithashtu mbeshteti fuqishëm presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kur ajo i paraqiti Parlamentit Marrëveshjen e Gjelbër, një propozim për të eleminuar emetimet e karbonit në BE deri në vitin 2050.

Esteban González Pons

Një ish-senator spanjoll nga Valencia dhe anëtari i  Partisë Popullore konservatore të Spanjës (PP), González Pons ka qenë prej kohësh numri 2 i grupit të PPE pas Weber.

I zgjedhur në Parlamentin Evropian në 2014, Gonzáles Pons është i njohur për oratorinë e tij.

Megjithatë, babai 57-vjeçar i tre fëmijëve ka dërguar sinjale se nuk po kërkon presidencën.

Gonzalez Pons i tha shtypit spanjoll kohët e fundit se PPE duhet të gjejë një “kandidat konsensual”, duke nënkuptuar se nuk do të ishte ai. Dhe i pyetur për ambiciet e tij personale në një takim të fundit të grupit të PPE në Romë, González Pons nuk përjashtoi një kandidaturë përfundimtare presidenciale, por tha se tani nuk ishte “momenti i duhur”.

Megjithatë, nëse Gonzalez Pons vendos të kandidojë, pengesa e tij më e madhe mund të jetë eurodeputetja Iratxe Garcia, rivalja e tij socialiste spanjolle e cila drejton grupin S&D të Parlamentit.

Garcia e ka bërë të qartë se nuk do të mbështeste asnjë kandidat nga PP.

Kushdo që fiton do të ngarkohet me një detyrë të vështirë: Të mbajë së bashku një asamble gjithnjë e më të përçarë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të vitit 2024.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>