Ivana Dervishi për BIRN, me anë të një reportazhi ka treguar kushtet e mjeruara dhe ambientet e papastra ku studentët që vijnë nga rrethet jetojnë në 26 godinat e Qytetit Studenti.
“Mes ankesave për kushte të këqija higjienike në godinat e konvikteve, studentët rrëfejnë mundimet e tyre të përditshme për të shtyrë vitet e shkollimit të lartë në godinat e vjetra dhe të pamirëmbajtura, ndërsa i bëjnë thirrje administratës së Qytetit Studenti të ndërhyjë menjëherë për të siguruar një jetesë normale”, theksohet në reportazh.
Pagesa totale për një student është 4.500 lekë në muaj, ku përfshihen uji e dritat, ndërsa studentët akomodohen kryesisht në dhoma me nga dy-tre persona, të cilët vijnë nga qytete të ndryshme pa njohje paraprake.
Një 19 vjeçar nga Lezha, student për shkenca politike, shprehet:
“Kur kam pa si bëhet jeta, është si dita me natën. Kushtet janë vërtet skandaloze.”
Ai shpjegon se studentët jetojnë me pajisje të vjetra, dhoma me lagështi, dushe me orare dhe banjo të pista.
“Sigurisht që vitin tjetër nuk do të jem më aty. Do të dal në shtëpi me qira me disa shokë, por kjo nuk është zgjidhje. Shteti duhet të gjejë një zgjidhje që godinat t’i shërbejnë studentëve.”
Një tjetër studente ardhur nga Dibra tregon se zgjodhi të jetojë në konvikt për shkak të kostove më të pakta dhe afërsisë me shkollën.
“Tualetet janë një problem i ditur; sapunët dhe letrat i blejmë vetë, por për drynat si i bëhet?” pyet ajo, ndërsa shpjegon se dyshekëve u kanë dalë sustat, ngrohëset nuk funksionojnë, ndërsa interneti kap vetëm në katin e parë.
BIRN vizitoi më 19 shkurt ambientet e një godine të Rezidencës Studentore Universitare nr. 1, ku fotografoi kushtet shqetësuese të tualeteve dhe banesave të studentëve.
Një prej studentëve rrëfen se është ankuar deri më tani katër herë për çështje të ndryshme dhe se shtyrja e zgjidhjes së problemeve për të ardhmen është pikërisht ajo që po i largon studentët dhe po i zbraz godinat.
“Kur ankohemi thonë se do të ndërtohen godina të reja, nuk do të presim për ‘do të’ [në kohën e ardhme], duam të shikojmë përmirësime tani,” tha 22-vjeçarja, e cila studion për gazetari dhe që përfaqësoi grupimin Qëndresa Qytetare në sondazhin për kushtet e konvikteve.
Një sondazh i publikuar së fundmi nga qendra Qëndresa Qytetare zbuloi se rreth 65% e studentëve i vlerësojnë kushtet higjienike të tualeteve të konvikteve si të këqija dhe pohojnë se uji i rrjedhshëm në to mungon.
Sondazhi që u shtri mbi 300 studentë të moshave 18-27 vjeç që banojnë në Qytetin Studenti ngriti po ashtu shqetësimin se tualeteve u mungojnë sapunët dhe letrat higjienike, ndërsa 86% e studentëve pohojnë se dyert e tualeteve nuk mbyllen.
Për të lexuar shkrimin e plotë klikoni këtu.