Për Miroslav Lajçak, mos liberalizimi i vizave nga BE për Kosovën lidhet me vendimarrjet e shteteve të caktuara dhe jo me paaftësinë e BE-së për t’i qëndruar premtimeve të saj.
I pyetur përse shtetet duhet t’u besojnë premtimeve të BE, duke marrë parasysh mos liberalizimin e vizave me Kosovën dhe mos çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, Lajçak u përgjigj: “Nëse nuk i besoni BE-së, shkoni diku tjetër”.
Studiuesi boshnjak i Forumit Ballkanik, Saimir Behariç ia bëri këtë pyetje Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun Serbi-Kosovë në Samitin GLOBSEC të Bratisllavës.
Lajçak vazhdoi duke thënë: “Është bërë e modës të kritikosh BE-në në lidhje me liberizimin e vizave, por udhëheqësit e Kosovës duhet të shkojnë në ato vende që i kanë bllokuar lirinë e udhëtimit dhe të pyesin se si të veprojnë”.
Sipas Lajçak, mbajtja e premtimeve nuk është e rëndësishme vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor por edhe për vetë BE-në “në mënyrë që t’i dëshmojë aleatëve si SHBA-ja se mund të jetë një partner i besueshëm i bashkëpunimit transatlantik.”