Lajçak viziton Kosovën për Asociacionin e komunave serbe

Nga Exit News
Lajçak viziton Kosovën për Asociacionin e komunave serbe

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak do të vizitojë, të martën, 13 tetor, Kosovën, për të diskutuar për “zhbllokimin e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, raportoi Radio Evropa e Lirë.

Kosova ka thënë se nuk dëshiron ta hapë më çështjen e këtij Asociacioni, por Serbia insiston që të bisedohet për të.
Formimi i tij është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.
Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka përsëritur në disa raste se çështja e Asociacionit është një temë tashmë e mbyllur.
Të hënën, Lajçak iu adresua ministrave të Jashtëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

“Jam mirënjohës për interesin e tyre të sinqertë dhe mbështetjen e fuqishme. Diskutimi i sotëm konfirmoi se dialogu është qartazi i lidhur me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Lajçak në një postim në Twitter.

Ministrat e jashtëm të BE-së u mblodhën të hënën për të diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë dialogun Kosovë-Serbi, sanksionet e mundshme ndaj Rusisë për rolin e saj të pretenduar në helmimin e politikanit të opozitës, Aleksei Navalny, si dhe situatën në Bjellorusi.

Dialogu Kosovë-Serbi, që synon normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>