Lajmi i mirë nga Gjermania: Bundestagu vendos nesër pro hapjes së negociatave me Shqipërinë

Lajmi i mirë nga Gjermania: Bundestagu vendos nesër pro hapjes së negociatave me Shqipërinë

Bundestagu gjerman do t’i hapë rrugën qeverisë gjermane të votojë pro hapjes së negociatave me Shqipërinë muajin e ardhshëm.

Nesër pritet që Bundestagu të miratojë një rezolutë, ku do të miratojë qëndrimin e qeverisë gjermane për të votuar pro hapjes së negociatave më Shqipërinë në mbedhjen e Këshillit Europian në tetor, por të vërë kushte, plotësimi i të cilave duhet të bëhet para se Komisioni Europian dhe qeveria shqiptare të fillojnë negociatat teknike në praktikë.

Ndërsa shprehet pro vendimit politik për hapjen e negociatave, Bundestagu do ta kushtëzojë procesin praktik të fillimit të negociatave me një sërë kushtesh.

Në rezolutë thuhet se Bundestagu i kërkon qeverisë gjermane që:

Në Këshillin e Evropës më datë 17/18 Tetor 2019 të miratohen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë parimisht vetëm me kushtin, që Konferenca e parë e anëtarësimit të zhvillohet atëherë kur Qeveria Federale të konstatojë plotësimin e kushteve [….]ˆ”

Kushtet janë planifikuar sipas fazave të negociatave, duke përcaktuar kushte specifike për secilën prej fazave fillestare të negociatave.

Kushtet e menjëhershme që duhet të plotësohen përpara se Komisioni Europian dhe qeveria shqiptare të mbajnë Konferencën e parë të negociatave, ku duhet të miratohet plani teknik i negociatave, janë dy:

  1. krijimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, dhe
  2. miratimi i reformës zgjedhore, që duhet të përfshijë reformimin e financimit të partive.

Bundestagu ka vënë disa kushte të tjera, të cilat duhet të plotësohen para mbajtjes së Konferencës së Dytë, në të cilën do të caktohen kapitujt e parë të negociatave që do të hapen.

Ndër to janë: zbatimi i reformës zgjedhore; fillimi i procedimeve penale për prokurorët dhe gjykatës që nuk kanë kaluar procesin e vetingut; fillimin e procedimeve penale për ata që janë përfshirë në vjedhjen e votave; si dhe rezutë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Projekt-rezoluta është hartuar me konsensus mes dy grupeve kryesore parlamentare të CDU/CSU-së dhe SPD-së, dhe pritet të miratohet me shumicë nga Bundestagu.

Vendimi i Bundestagut mund të jetë heqja e barrierës së fundit për marrjen e vendimit politik për çeljen e negociatave, duke ia lënë pastaj vazhdimësinë e negociatave përparimit të Shqipërisë në një sërë fushash prioritare, veçanërisht në forcimin e shtetit të së drejtës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>