Deputeti i zgjedhur i PS, Lefter Koka ka hequr dorë nga mandati i deputetit, 9 ditë para se të nisë punën Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
Vendimin ai e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook ku nuk jep arsye për largimin e tij por shton se do t’i lërë vendin bashkëpunëtorëve të tij.
Lefter Koka u zgjodh kryetar i Bashkisë së Durrësit në vitin 2003 deri 2007. Koka iu bashkua Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe u zgjodh deputet i saj në Kuvend në vitin 2009. Midis 2013 dhe 2017 ai shërbeu si ministër i Mjedisit.
Pasi opozita vendosi të lërë mandatet në 2019, Koka ishte një nga deputetët e LSI që refuzoi të linte Kuvendin. Pas kësaj ai iu bashkua PS dhe në zgjedhjet e 25 prillit u zgjodh deputet në Durrës.
Vendin e Lefter Kokës pritet ta zërë Ana Dhamo, pedagoge në Universitetin e Durrësit dhe anëtare e Këshillit Bashkiak në këtë qytet.