Libri në dy vëllime i publicistit Qemal Sakajeva, me titull “Formula e Presidentit: K—BE+NATO+SHBA” ka zënë vend rishtazi në libraritë kryesore në Tiranë.
Libri është një ekspoze e gjithçkaje që pati rëndësi për Kosovën në 42 vitet e fundit të historisë së saj (1977–2019), përmes përjetimit dhe analizës së përditshme të autorit Sakajeva.
Në qendër të librit është populli i Kosovës, territori dhe politika e parë në këndvështrime të ndryshme: në raport me me vetveten, me Serbinë, me Shqipërinë, me shtete të Ballkanit, me Bashkimin Europian, me SHBA, me Rusinë si dhe me tri organizma me fuqi ndikuese botërore -OKB, NATO dhe Tribunali i Hagës.
Formula e Presidentit, i referohet thënies së Ibrahim Rugovës: ”Kosovë e pavarur, e anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe në NATO, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, një pasqyrim i trajektores së historisë së Kosovës pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Nga shtjellimi për sjelljen e eshtrave të Hasan Prishtinës nga Greqia në 1977-ën, tek pikëpamjet mbi komplotin për ndarjen e Kosovës përmes “korrigjimit të kufirit” dhe tek “Minishengeni i Ballkanit”, libri është konceptuar në katër pjesë: Pjesa e parë – Koha e klithmës; Pjesa e dytë – Koha e bombardimit; Pjesa e tretë – Koha e lirisë; Pjesa e katërt – Koha e pavarësisë.