Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen sot në Londër për të marrë pjesë në Samitin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Në këtë samit, Kryeminsitri i ri i Kosovës Albin Kurti do të takohet për herë të parë me kryeministren serbe Ana Brnabiç. Në samit do të jetë dhe kryeministri Edi Rama, kryeministri i qeverisë teknike maqedonase Oliver Spasovski, kryeministri malazez Dusko Markovic dhe ai i Bosnje-Hercegovinës Zoran Tegeltija.
Ky është samiti i katërt i investimeve në Ballkanin Perëndimor i mbajtur nga BERZH që nga viti 2014. Ai synon të nxisë diskutimin për investimet e mundshme dhe mundësitë e biznesit në rajonin e BP-së dhe të promovojë projektet rajonale.
“BERZH e sheh Ballkanin Perëndimor si një rajon me përparësi dhe qëllimi ynë është të zhbllokojmë potencialin e tij duke mbështetur rritjen e qëndrueshme ekonomike, si dhe integrimin rajonal dhe evropian të tij,” tha Presidenti i EBRD Suma Chakrabarti përpara samitit të këtij viti.
Liderët e Ballkanit do të diskutojnë vizionin e përgjithshëm për rajonin si dhe mundësitë për investime të mundshme që mund të mbështeten nga BERZH.
Shqipëria vazhdimisht renditet e fundit në rajon për sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja, me një diferencë të madhe krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
BERZH është një nga investitorët më të mëdhenj institucionalë në rajon, me afro 13 miliardë euro të investuara deri më tani. Ai i ofroi qeverisë shqiptare një kredi prej 80 milion euro javën e kaluar për rindërtimin e Shqipërisë që duhet të tërhiqet nga shteti shqiptar pas prezantimit të projekteve të ndryshme për rindërtimin.