Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, denoncoi mesditën e sotme në media se është sulmuar fizikisht nga sipërmarrësi Gjergj Luca pas një takimi elektoral në zonën e Labinotit në Elbasan.
Sipas Boçit sulmi ndaj tij është bërë për motive politike për të frikësuar opozitën.
Ai akuzoi Lucën si të lidhur me kryeministrin Rama dhe bëri këtë të fundit përgjegjës si nxitësin kryesor të sulmit dhe dhunës.
“Të majtët janë të frikësuar nga humbja. Guxojnë të godasin edhe përfaqësuesit politikë,” deklaroi Boçi në deklaratë për mediat në të cilën dukej një lëndim i marrë në grykë.
Kandidati i PD shtoi gjithashtu se është kërcënuar me jetë dhe se e ka bërë kallëzimin në policinë e Elbasanit.
Nga ana e tij, sipërmarrësi Luca është shprehur për mediat se ishte “hera e parë që ndeshesha me një politikan rrugaç”.
Ngjarja vjen disa ditë pasi mbështetës të PS-së dhe PD-së u përplasën fizikisht në Elbasan, gjatë festimeve të Ditës së Verës.