Lufta populiste e Edi Ramës kundër korrupsionit sjell pak rezultate

Lufta populiste e Edi Ramës kundër korrupsionit sjell pak rezultate

Pas sigurimit të 74 mandateve në zgjedhjet e 25 qershorit, kryeministri Rama ka nisur një tur takimesh me qytetarët në gjithë vendin, ku i fton ato të denoncjnë raste korrupsioni të zyrtarëve të lartë të shtetit.

Kjo ka bërë që qytetarët, të bindur se denoncimi publik do të bëjë që problemi i tyre të zgjidhet menjëherë, të denoncojnë raste dhe emra zyrtarësh, pa paraqitur asnjë provë shoqëruese. E pavarësisht vëmendjes së madhe në media, shumica e këtyre rasteve nuk gjejnë zgjidhje dhe procedimet penale humbasin rrugës.

Për këtë temë, gazetari Elton Qyno ka shkruar për BIRN:

Më 22 korrik, kryeministri Edi Rama publikoi në faqen e tij në Facebook videon e arrestimit të tre inspektorëve të hetimit tatimor, si shembull të fushatës së tij post-zgjedhore për spastrimin e administratës nga zyrtarët arrogantë dhe të korruptuar.

Operacioni policor u krye pas mesazhit që një tregtare nga Kavaja i dërgoi Ramës, ku denonconte gjobitjen arbitrare me 40 mijë lekë nga punonjësit tatimorë.

24 orë nga denoncimi, policia e Tiranës arrestoi me akuzën e korrupsionit inspektorët Ermal Harizaj, Ervin Pupuleku dhe Arben Disha, ndërsa kryeministri i etiketoi ata si “grabitqarë” dhe “Armiku nr.1 i popullit”.

Pas arrestimit të bujshëm të tre inspektorëve tatimorë, çështja i ka kaluar Prokurorisë së Kavajës për hetime të mëtejshme. Por ndryshe nga kryeministri, prokurorët janë dyshues nëse mund të korrin sukses para gjykatës me raste të tilla.

“Çështja është shumë delikate për t’u provuar në gjykatë, për shkak se në dosje mungojnë një sërë veprimesh hetimore që duhej të kryheshin para arrestimit,” tha për BIRN një prokuror në kushtet e anonimatit.

“Denoncuesja thotë u dhashë 400 mijë lekë, ndërsa të arrestuarit thonë të kundërtën. Nuk mund të shkojmë në gjykatë dhe të kërkojmë burg për këdo, vetëm me kallëzimin e një shtetaseje,” shtoi ai.

Platform antikorrupsion

Fushata e “bashkëqeverisjes me qytetarët” është një evokim live i platformës së mëparshme online antikorrupsion, të promovuar gjatë mandatit të parë qeverisës së Ramës.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se ndonëse qytetarët denoncuan masivisht në këtë platformë, rezultati i adresimit dhe i zgjidhjes së ankesave përmes institucioneve ligjzbatuese mbetet i ulët.

Një raport i publikuar për nismën “Stop Korrupsionit” tregon se qeveria ka marrë më shumë se 17 mijë ankesa nga qytetarët përgjatë viteve 2015-2017. Raporti thekson gjithashtu se 1383 denoncime ose 8 për qind e totalit lidheshin direkt me korrupsionin.

Megjithatë, nga ky lumë ankesash qeveria deklaron se ka referuar në prokurori për hetime të mëtejshme vetëm 100 raste.

Kallëzimet e qeverisë dhe ato të Policisë së Shtetit gjejnë reflektim fare të vogël në të dhënat statistikore të procedimeve penale apo çështjeve të gjykuara, që BIRN i siguroi në Prokurorinë dhe Gjykatën për Krime të Rënda-përgjegjëse për luftën e korrupsionit mes zyrtarëve të lartë.

Ndërkohë, numri voluminoz i kallëzimeve duket se kanë të bëjnë më së shumti me zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të ulët, të cilët ndiqen nga prokuroritë e rretheve.

Një fakt i tillë vihej në dukje edhe në progres-raportin e fundit të Komisionit Europian, ku ndonëse vërehej një rritje statistikore e çështjeve, theksohej se “këto raste përfshijnë vetëm zyrtarë të ulët dhe të mesëm”.

Të dhënat e siguruara nga BIRN në Prokurorinë e Krimeve të Rënda tregojnë se për veprën penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë janë regjistruar 19 procedime penale në vitin 2014, 35 procedime penale në vitin 2015 dhe 32 procedime në vitin 2016.

Ndërsa për vitin 2017, në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka mbërritur vetëm një çështje, ku nën akuzë është një prokuror i Dibrës, i denoncuar në emisionin “Fiks Fare”.

Një prokuror i Krimeve të Rënda, i intervistuar nga BIRN në kushtet e anonimatit ia faturon policisë, numrin e ulët të kallëzimeve për korrupsion në vitin 2017. Ai e lidh këtë fakt me situatën zgjedhore-kohë kur ritmi i policisë bie dhe askush nuk merret me korrupsionin.

Ndërsa në Policinë e Shtetit , ndonëse besohet se janë tejkaluar objektivat e programit vjetor kundër korrupsionit, shpresat për rezultate më të mira janë varur tek reforma në drejtësi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>