Atletja Luiza Gega doli e nënta në garën e 3000 metrave me pengesa në Kampionatin Botëror të Atletikës, zhvilluar në Doha të Katarit.
Ajo e përfundoi garën për 9 minuta, 19 sekonda e 93 të qindtat duke vendosur një rekord të ri kombëtar.
Me këtë rezultat, Gega kualifikohet direkt për në Lojërat Olimpike Tokyo 2020.
Me garimin në Doha, ajo u bë atletja e parë shqiptare që merr pjesë në një finale botërori.
Suksesi dhe arritjet e Luiza Gegës marrin tjetër kuptim po të kemi parasysh se ajo nuk ka pistë profesioniste atletike ku të stërvitet në Tiranë. Pista e stadiumit Qemal Stafa, u zu pas vitit 2016 nga projekti me kullë i stadiumit të ri.
Prej 2016-ës, Luiza dhe trajneri i saj Taulant Stërmasi stërviten në Parkun e Liqenit në Tiranë mes qindra qytetarëve që vrapojnë në nje shteg të ngushtë vrapimi ose në stadiumin Elbasan Arena ku megjithëse ka pistë atletike, ajo nuk është e plotësuar me të gjithë infrastrukturën e nevojshme.
Trajneri i Gegës ka deklaruar në disa intervista se Luiza, me një trajnim cilësor që nuk është i mundur në Shqipëri, mund të performojë shumë herë më mirë në garë dhe mund të jetë pretendente për të fituar medalje olimpike.
Por buxheti i qeverisë për sportin e atletikës është i papërfillshëm, edhe pse do të mjaftonin disa mijëra euro që Luiza të stërvitej diku në Evropë.