“Ka një përpjekje të hapur të Edi Ramës për të diktuar drejtësinë. Njeriu që sot hoqi maskën dhe që tregoi fytyrën e vërtetë që nuk do reformën, por kapjen e drejtësisë. Problemi është Edi Rama.”
Kështu u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha sot në mesditë. Ai akuzoi Kryeministrin Rama se prishi kompromisin e së shtunës për të vazhduar bisedimet për refomën në drejtësi, bazuar në sygjerimet e Komisionit të Venecias.
Eskpertët e dy palëve nuk ranë dakort për mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca kërkon zgjedhjen e tyre me shumicën e cilësuar prej 84 votash, ndërsa opozita, me argumentin se shumica e cilësuar lë mundësi për kapjen e drejtësisë nga politika, kërkon zgjedhjen e gjyqtarëve me shumicën kushtetuese prej 93 votash. Pasi nuk arritën dakordësinë, ekspertët e djathtë braktisën sërish bisedimet dje në mbrëmje.
Zoti Basha tha se nuk do të ketë drafte paralele, duke lënë të kuptohet se opozita nuk do të dorëzojë një draft të sajin në Komisionin e Posaçëm për reformën në drejtësi. Ai nuk bëri të qartë as nëse ekspertët e djathtë do të riulen në tryezë për të vijuar diskutimet.