Lëvizja Vetvendosja, me degë në Tiranë ka reaguar për rradhët e gjata të krijuara prej dy ditësh në Kakavijë.
Në një deklaratë për mediat, ata kërkojnë trajtim njerëzor të qytetarëve shqiptarë në Kakavijë duke theksuar se Greqia mbyll kufinjtë gjatë natës.
“Prej 4 ditësh me mijëra shqiptarë janë bllokuar në kufirin me Greqinë në Kakavi në radhë kilometrike.I nevojiten shqiptarët Greqisë si krah i lirë pune, por jo si njerëz që duhen trajtuar me dinjitet e që u respektohen të drejtat. Kështu, pavarësisht radhës së gjatë dhe pritjes sfilitëse disa ditore të mijëra njerëzve, Greqia mbyll edhe kufirin gjatë natës.”
Ata deklarojnë se as nga pala shqiptare nuk ka ndonjë reagim për këtë situatë të krijuar, duke përmendur dhe humbjen e jetës së fëmijës 10 vjeç gjatë mëngjesit të së shtunës. Ata theksuan se “ky aksident tragjik nuk do kishte ndodhur po të mos kishte ndodhur keqtrajtimi në kufi nga pala greke dhe shpërfillja disa ditore e qeverisë shqiptare ndaj të drejtave dhe nevojave të qytetarëve të vendit.”
LVV i bëri thirrje qeverisë të marrë masa për këtë situatë.