Majko i ngecur në botën e telenovelave

Nga Karl Kuçi
Majko i ngecur në botën e telenovelave

Ish-kryeministri Pandeli Majko këshilloi, përpara pak ditësh, kolegët e tij deputë duke pohuar se nëse nuk miratohet reforma në drejtësi Shqipëria rrezikon të kthehet në Siçili—krahinën italiane nga ku ka origjinën mafia.

Një tjetër thënie që dëshmon sa pak njohuri ka elita politike shqiptare për botën, të cilën me sa duket e njeh vetëm nga kultura e telefilmave.

Siçilia ka 5,1 milionë banorë—pothuajse dyfishin e Shqipërisë—dhe të ardhura për frymë rreth pesë herë më të larta se Shqipëria.

Pavarësisht se ka dyfishin e popullsisë, në Siçili ka mesatarisht 50 vrasje në vit, ndërsa në Shqipëri më shumë se 120 vrasje—pra, në Shqipëri ka pothuajse tre herë më shumë gjasa të të vrasin se në Siçili.

Në Siçili në shkolla arsimohesh si europian dhe në spitale shërohesh, kurse në Shqipëri të shkollojnë injorantët dhe të kuron Rilindja, kuptohet me llogje.

Në Siçili anash rrugëve nuk ka palma por barriera mbrojtëse, të cilat nuk i çan kush për t’i shërbyer biznesit në krah të rrugës.

Në Siçili ka pasur dhe ka hetime e gjykime të rëndësishme kundër krimit dhe mafias—çdo vit dënohen me dhjetra kriminelë, falë gjyqtarëve si Falcone dhe Borsellino, dikur, e pasuesit e tyre, sot. Në Shqipëri kemi dhe do të kemi për jetë Gjin Gjonin e Ridvan Hadon.

Siçilia është përpara Shqipërisë në çdo lloj treguesi ekonomik e shoqëror, shumë më përpara. Madje, me apo pa reformë në drejtësi, perspektiva dhe shpresat e siçilianëve, pavarësisht pesimizmit të tyre historik, janë më të mira se sa ato të shqiptarëve.

Së fundmi, edhe pse është Siçili, atje nuk ka politikanë qesharakë si Zoti Majko.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>