Ndërsa janë ndezur diskutimet mbi mos arrestimin e Saimiri Tahirit, mediat afër qeverisë vazhdojnë aksionin e pandalshëm të deligjitimimit të akuzuesit të parë të Tahirit, policit të antidrogës Dritan Zagani.
Gjëja më kurioze është se kjo përpjekje këmbëngulëse për deligjitimimin e Zaganit është tashmë tërësisht e pavlerë. Pasi akuzat e Zaganit kundër Tahirit tashmë janë tejkaluar nga përgjimet e bëra publike në dokumentat e Prokurorisë Antimafia të Katanias, nga arrestimi i kushuririt Habilaj, në atë kohë i cilësuar nga Tahiri si “tregtar i ndershëm fruta perismesh”. Dhe në fund nga deklaratat e një polici tjetër të antidrogës së Fierit, edhe ai viktimë e persekutimeve të policisë për shkak se edhe ai shqetësoi “tregtarin e fruta perimeve”.
Por, makina e baltës kundër azilantit politik në Zvicër (ky fakt duhet të nxisë sadopak reflektim) nuk ndalet, por vazhdon në pilot automatik.
Në kohën e vetingut, të dekriminalizimit dhe të deklaratave mbi orët e luksit të bëra nga ambasadori amerikan, argumenti i preferuar për të delegjitimuar është natyrisht pasuria e hamendësuar e Zaganit. Kjo akuzë, në kuadrin e strategjinë e hollë të partizanëve socialistë, ushqen dyshimin se edhe ai është një i korruptuar.
Një gazetare e famshme dhe e mirëfinancuar përfitoi menjëherë nga një ndërhyrje e Lulzim Bashës, që gabimisht tha se Zagani ishte arrestuar në shtëpinë e tij në Fier (ndërsa arrestimi në të vërtetë kishte ndodhur në Vlorë) për të shkruar një shkrim në të cilin listonte ato që sipas saj ishin pronat eDritan Zaganit, duke lënë të kuptohej se ishin shumë gjëra.
Sipas gazetares së famshme, Zagani kishte në pronësi shtëpinë në Fier të cituar nga Basha, një shtëpi 140 metra katrorë në Vlorë, dhe toka e famshme në Orikum që sipas folësve socialiste ishte një dhuratë e Berishës për Zaganin.
Në të vërtet, Zagani jetonte në Vlorë, me gruan, tre fëmijët dhe dy prindërit e tij në një apartament me katër dhoma, në një sipërfaqe prej 100 metar katrorë, në pronësi të një kushuriri të tij, të cilit i paguante një qira, me premtimin se kur shuma të arrinte një vlerë të caktuar ai do t’ja shiste.
Familja e Zaganit nuk ka pronësi të tjera. Nuk ka patur asnjëherë ndonjë banesë në Fier dhe as tokën e famshme në Orikum. Kjo tokë e mbushur me magazina të rrënuara, sipas ligjeve në fuqi, me vendim qeverie duhet t’u ndahej policëve të pastrehë, ndër ta edhe Zagani. Por toka doli e regjistruar jo në pronësi të shtetit, por të një personi të vdekur—fakt që edhe sot i ndalon dhjetra përfituesit e pritshëm që ta marrin në dorëzim dhe në pronësi.
Edhe prindërit e Dritan Zaganit nuk kanë asnjë pronë, vetëm një grindje të gjatë dhe të kotë me qeverinë për kompesimin e një toke bujqësore pak më shumë se një hektar në Shkodër. Të cilën edhe nëse do të arrijnë ndonjëherë ta marrin, Zagani duhet ta ndajë me të motrën.
Si përfundim Zagani nuk ka asnjë pronësi të paluatjshme të vetme. Ka vetëm dy prindër pensionistë dhe ato pa asnjë pronë. Si shumë shqiptarë të thjeshtë, ai ka pasur iluzionin dhe shpresën e kotë të merrte atë çfarë ishte e familjes së tij, por nuk e ka marrë akoma. Edhe dhuratën e qeverisë si shpërblim për shërbimin e tij të gjatë nuk ka mundur dot ta marrë si pasojë e dokumentave të falsifikuara të pronësisë dhe paaftësisë së shtetit për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi.
Por makina e baltës e drejtuar nga gazetarët e regjimit, nuk i verifikon lajmet, por kopjon dhe shpërndan, dhe kështu lajmi fallco për Dritan Zaganin si pronar i pasur u shpërnda menjëherë dhe u rimor nga organet e propagandës qeveritare në mënyrë virale.
Ndërkohë një gazetare tjetër e famshme bënte selfie me ish-Ministrin e Brendshëm, dhe në sfondin e fotos dukej hapur luksi në shtëpinë e bukur të ish-ministrit në Kodrën e Diellit, e cila nuk rezulton në deklaratën e pasurisë së Tahirit.
Ndoshta e ka dhuratë nga i jati.