Mali i Zi nuk do t’i bashkohet projektit të “Mini-Schengen”-it të propozuar nga Presidenti i Serbisë Vuçiç, Kryeministri i Shqipërisë Rama dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zaev.
Ky qëndrim është bërë me dije nga Ministrja e Ekonomisë në Malin e Zi, Dragica Sekuliq, e cila e ka konsideruar “Mini-Schengen”-in “shpenzim energjish” pasi Mali i Zi “i ka hapur prej kohësh kufijtë duke hequr barrierat tregtare me fqinjët”.
Prej muajit tetor, angazhimi i udhëheqësve Vuçiç-Rama-Zaev për të krijuar një “Mini-Schengen” ka hapur debat për efektshmërinë dhe marrëdhëniet mes vendeve në Ballkanin Perëndimor. Prej takimit të parë në Serbi, mediat në Shqipëri e Kosovë raportuan për përjashtimin dhe mungesën e konsultimeve me përfaqësuesit e Kosovës. Presidenti Thaçi e ka cilësuar idenë të pakuptimtë për Kosovën pasi “Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e saj”.
Në takimin e dytë të mbajtur në Ohër më 10 nëntor, udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ftuan Bosnjen dhe Malin e Zi që t’i bashkoheshin nismës. Në takim ishin edhe Ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi Dragica Sekuliq dhe përfaqësuesi i Bosnje Hercegovinës Denis Zvizdic. Mirëpo kjo ide duket se nuk e ka bindur Malin e Zi.
Ministrja e Ekonomisë, Sekuliq është shprehur se:
“I kuptoj qëllimet. (Propozuesit) Janë vendet që për shkak të barrierave të ndryshme që u kanë vënë njëri-tjetrit, mund ta kenë të nevojshme një nismë të re për të premtuar atë që ne prej kohësh e kemi.”
Sekuliq është anëtare e Partisë Demokratike Socialiste të Milo Gjukanoviç, drejtues i vendit prej vitit 1991, aktualisht President i Malit të Zi.