‘Mallkimi i peshkut’, projekti i WWF Adria premton përmirësimin e situatës në Adriatik

Nga Aurora Velaj
‘Mallkimi i peshkut’, projekti i WWF Adria premton përmirësimin e situatës në Adriatik

Është mëngjes herët, ora nuk ka shkuar ende ora gjashtë, dhe Spiro së bashku me dy shokët e tij, Izmirin dhe Alilin po bëjnë ritualin e zakonshëm për t’u bërë gati për peshkim.

Spiro me nxitim hipën mbi flugun e tij tepër modest, as pesë metra të gjatë, dhe fillon të pastrojë ndonjë papastërti të vogël që ka mbetur mbi flug. Kur e bleu para ca vitesh në Itali, flugu kishte funksion të trajnonte kursantë për të mësuar velat, por ai e transformoi atë, dhe e bëri të përshtatshme për të kapur peshk.

aldo tare
Foto nga: Aldo Tare

Ai vazhdon të mbledhë me kujdes mbetjet e me nxitim dhe sistemon çdo gjë rreth e përqark që të ketë vend për t’u ulur, dhe së fundmi hedh ca kova ujë, për t’u siguruar që çdo gjë në flugun e tij është pastër dhe gati për t’u nisur.

Ndërsa Izmiri me Alilin në të njëjtën kohë, heqin koshat me grepa nga flugu duke i vendosur njëri sipër tjetrit në dyshemenë e portit, jo shumë larg vendit ku janë ankoruar.

Ata sot nuk do marrin grepat me vete, pasi kanë hedhur rrjetat.

Ndodhemi në portin e Triportit, në Vlorë. Edhe pse i ka të gjitha parametrat e një porti me standarte duket si i lënë pas dorë dhe me pamje të dëshpëruar që në fillim të ditës.

Në anën tjetër të rrugës nga flugu, shumë pranë detit, të përplaset në fytyrë një varrezë e madhe makinash automobilistike, ndërsa anash, qëndrojnë disa anije e varka, një pjesë e të cilave duken sikur janë jashtë funksionit dhe që qëndrojnë në breg sa për të bllokuar hapësirën e portit.

Ndërsa Spiro po bëhet gati për t’u nisur, një makinë e bardhë, e vjetër vjen me nxitim në drejtim të tij, dhe ndalon përballë.

Është shoku i Spiros, Agroni, edhe ky peshkatar, por që sot nuk do peshkojë. Me një buzëqeshje të madhe në fytyrë përshëndet gjithë entuziazëm e me zë të lartë, duke thyer zymtësinë që mbizotëron në port:

Agroni: Mirëmëngjes! Buongiorno! Kalimera! Nga do vesh?
Spiro: Do dal o, do hedh rrjetat.
Agroni: Mirë (Pauzë për disa sekonda) Kur do kthehesh do vonohesh?
Spiro: S’e di. Pse?
Agroni: Desha njëcik peshk.
Spiro: Po ku ka peshk mo!

Pas pak të gjithë jemi në flug. “Ska det sot!” Thotë Spiro duke buzëqeshur. “Sot është deti vaj!” Dhe ndez motorrin e flugut e nisemi drejt rrjetave.

ALDO TARE
Foto nga: Aldo Tare

Spiro sot po del për herë të parë për të kapur peshk. Ai kishte një muaj që nuk dilte, pasi për dy javë rresht ai kishte dalë në det të hapur dhe nuk kishte kapur asnjë peshk. I dëshpëruar, ai kishte vendosur të mos hedhë më rrjetat. Por falë insistimit të dy shokëve të tij, Izmiri me Alilin, ai vendosi të dalë sërish.

“Kur ishim të vegjël,” – thotë me dëshpërim Spiro- “në thellësi rreth 10 -15 cm e kapnim peshkun me shufra teli, që këtu e atje. (e bën me dorë për një gjatësi prej 2-3 metrash) Telin e rrethonin dhe e kapnim me shufra dhe kapnim peshk. Kishte plot peshk. Unë tani jam 48 vjeç dhe shikoj ndryshim shumë të madh nga kur isha i vogël. Tani ka shumë pak peshk.”

Sipas Raportit të vitit 2020 nga organizata WWF, statistikat janë të frikshme. Numri i popullsisë së gjitarëve, zogjve, peshqve, amfibëve dhe zvarranikëve kanë një rënie mesatare alarmante prej 68% që nga viti 1970. Ky është një sinjal alarmues për të gjithë. Megjithëse statistikat e përgjithshme tregojnë një rënie të ndjeshme të sasisë së peshkut në dete, nuk ka statistika të sakta që tregojnë të dhëna mbi sasinë e peshkut të kapur në vite, në detin Adriatik. Në Shqipëri, sipas INSTAT 52.09 % e peshkimit të përgjithshëm e zë peshkimi detar.

Sipas peshkatarëve, arsyeja kryesore e mospasjes shumë peshk në det, vitet e fundit vjen si pasojë e peshkimit të paligjshëm. “Situata është e tillë si pasojë e përdorimit të dinamitit,” -thotë Spiro. “Gjithashtu, dhe barkat që kruajnë detin poshtë, është një tjetër problem.”

Të gjithë peshkatarët që pyetëm në lidhje me këtë problem na thanë se ata që hedhin dinamit e kanë mirë me autoritetet shtetërore, dhe këta të fundit përfitojnë prej tyre duke marrë arka me peshk falas.

aldo tare
Foto nga: Aldo Tare

Ndërsa sipas Endri Hoxhaj, inspektor peshkimi në Vlorë: “Arsyet e rënies së sasisë së peshkut në det vijnë si pasojë e ndryshimet klimaaterike dhe të peshkimit pa kriter.” Ai tha se peshkimi me dinamit mund të bëhet por bëhet në zona të pabanuara dhe të izoluara, prandaj është e vështirë për ti inspektuar.

Sipas raportit të fundit të WWF përkeqësimi i jetës në urjat detare vjen si pasojë e peshkimit të tepërt, zhvillimi bregdetar, ndotja dhe ndryshimet klimatike, të cilat do të vazhdojë të shkaktojë një spektër në rritje të efekteve në të gjithë ekosistemet detare. “Qëllimi ynë kryesor -shpjegon menaxheri i WWF Adria në Shqipëri, Patrik Krstinic është ruajtja e natyrës, ruajtja e jetës në det. Mesdheu sipas të gjitha njohurive shkencore që kemi është deti më mbipeshkuar në botë, në nivel global. Pra, Adriatiku është një pjesë integrale e Mesdheut si dhe ujërave shqiptare.” deklaron ai.

Udhëtimi me flug vazhdon.

Tashmë i jemi afruar rrjetave dhe Spiro me shokët e tij fillojnë nga puna për të mbledhur rrjetat dhe peshkun e kapur në to.

aldo tare
Foto nga: Aldo Tare

“Rrjetat janë nga 200 metra e nga 200 metra.” -thotë ai ndërsa i tërheq drejt flugut. Ato janë pothuajse bosh. Metra e metra rrjetë tërheq Spiro pothujse bosh. Tek-tuk rrjeta ka kapur ndonjë peshk, karkalec, a ndonjë gafore.

“Ne kemi këtu 1200 metra rrjeta kemi hedhur ca rrjeta ketej e ca rrjeta andej.” -drejton dorën në dy drejtime të ndryshme. Teksa vazhdon të mbledhë rrjetën.

“Këtu në Shqipëri peshkimi është një biznes i mbaruar fare.” -thotë Spiro me zë të lartë, duke vazhduar punën.

“Nuk të ndihmon njeri. Ja unë për shëmbull, nuk marr naftë. Unë e blej naftën në distributor. S’marr naftë se duhet të jetë varka mbi dhjetë metra, sipas rregullave, duhet të bëj depo. E blej me 1600 lekë naftën.”

“Mundohemi shumë nga mëngjesi deri në darkë duke punuar,” -vazhdon ai- “Të pastrojmë rrjetat ma duhen të paktën disa orë. Pastaj vijmë prapë nga ora 4 dhe nja dy orë të tjera t’i hedhim rrjetat, vajti ora 6. Kthehemi në shtëpi rreth orës 7-8 të mbrëmjës. Gjithë ditën në punë. Dhe nesër nëmëngjes do fillojmë prap nga fillimi.”

Spiro si shumë peshkatarë artizanalë, që nuk i mbush kushtet për të pasur subvension nga shteti. Shumica e peshkatarëve artizanalë janë si Spiro, nuk i përmbushin këto kushte për të qënë të kategorizuara në këtë lloj peshkimi.

aldo tare
Foto nga: Aldo Tare

Sipas përfaqësueses e WWF Adria në Shqipëri, Artenisa Peçulaj shumica e peshkatarëve nuk janë të regjistruar. “Në qoftë se në sistemin shtetëror janë të regjistruar 500, në fakt ata mund të jenë 800. Nga ana tjetër këta nuk regjistrohen edhe për shakt të taksave, siguracionet etj.” -thekson ajo.

Mosregjistrimi sjell pasoja jo të vogla për këta peshkatë. Endri Hoxhaj inspektor peshkimi në Vlorë thotë se peshkatarët e paregjistruar në rast se kapen janë të detyruar të pagujnë shuma shumë të mëdha gjobash, të cilat me aq peshk sa ata kapin nuk janë në gjendje ta përballojnë.

Projekti i WWF Adria në Shqipëri

Spiro dhe shumë peshkatarë artizanalë të Triportit dhe Ramidhës janë përfshirë në një projekt të organizatës WWF Adria, i cili synon të rrisë mirëqënjen e peshkatarëve artizanalë në gjirin e Vlorës duke stimuluar turizmin nëpërmjet peshkimit.

Kjo iniciative ka filluar në vitin 2020 dhe është hartuar për të përmirësuar peshkimin në shkallë të vogël përmes një modeli bashkëqeverisje – si një mënyrë për t’u larguar nga modeli jo i suksesshëm i centralizimit.

“Qëllimi i WWF Adria,” -thotë menaxheri i projektit Patrik Krstinic. “është të sigurojë që të kemi më shumë shembuj ku peshkatarët janë të fuqizuar dhe të përfshirë si aktorë legjitimë në proceset e vendimmarrjes dhe të pajisur me mundësi për të krijuar zgjidhje që rezultojnë në stoqe të qëndrueshme dhe përmirësimin e të ardhurave.”

Spiro e ka të vështirë në çdo hap të ditës të ushtrojë profesionin e tij, prandaj ai kërkon ndihmë. “E di çfarë duam neve? Të krijohet një si tip kooperative ku të shkojmë e të blejmë materialet me çmim më të ulët ose me gjysëm çmimi. Të ketë një çmim që edhe ne të kënaqemi. Ne na duhen shumë materiale dhe s’kemi takat t’i blejmë. Me një palë rrjeta shkojmë dy vjet, se nuk kemi t’i bejmë. -thekson ai.

“Ja për shëmbull, po të iki në Monopoli, në Itali. Aty i gjen të lira materialet. I gjen pak të përdoruara, por janë me çmim të lirë dhe kështu unë kam mundësi të punoj. Ja anija tani punon e shforcuar, dhe si pasojë harxhon naftë më shumë, sepse ka nevojë të riparohet, por unë nuk mund ta riparoj sepse është shumë shtrenjtë. Duhen rreth 1 miljon lekë (të vjetra) ose më shumë, dhe nuk e riparoj dot. Po ta riparioja duhet ta bëja tani në gusht ose në shtator se pastaj fillon puna, por nuk e bëj dot.”

WWF Adria po zbaton veprime brenda Projektit për Transformimin e Peshkimit në Shkallë të Vogël në tre zona në Kroaci: Telascica, Lastovo dhe në Kanali i Velebit.

Duke punuar në Shqipëri, WWF Adria siguron që një flotë tjetër e peshkatarëve në rajonin e Adria të fuqizohet dhe ndihmon në forcimin peshkatarëve në shkallë të vogël për të siguruar që bashkë-menaxhimi të bëhet normë dhe jo më përjashtim në Mesdhe.

Sipas Artenisa Peçulaj, WWF Adria po punon për të siguruar: a) peshkatarët njihen si aktorë legjitimë në një site pilot në Shqipëri në sistemet e bashkëqeverisjes së qeverisjes; b) të përmirësojë kapacitetin e aktorëve kombëtarë dhe lokalë të përfshirë në peshkim për të zbatuar strategjitë e menaxhimit të qëndrueshëm të peshkimit; dhe c) për të përmirësuar të ardhurat dhe mundësitë e jetesës së peshkatarëve në shkallë të vogël.

Shumë punë, por pak peshk.

Spiro me shokët e tij tashmë i kanë tërhequr të gjithë rrjetat në flug dhe po shikojnë se çfarë kanë mundur të kapin.

“Ja shiko këtu.” -thotë ai “Unë mund të kem kapur rreth 7-8-kilogram peshk. Ky është peshk qefull. Është peshk i lirë. Po ta shes vetë, unë e shes me 5 mijë lekë kilogramin, ndërsa unë do ta çoj në magazinë dhe ata ma marrin me 4 mijë lekë kilogramin.”

“Unë sot fitoj rreth 28 -32 mijë lekë.” -vazhdon të shpjegojë ai. “Mua, 20 mijë lekë më duhen naftë në ditë, dhe llogarite sa sa më mbetet. Unë të paktën duhet të fitoj 100 mijë lekë në ditë që të përballoj shpenzimet e mija.” Përfundon Spiro.

“Mallkimi i peshkut” shpjegojnë peshkatarët. “Është i lumtur ai që konsumon peshk, por do të jetë i mallkuar ai që e nxjerr nga deti.”

aldo tare
Foto nga: Aldo Tare

Lungomare Vlorë, 29 korrik 2021    

Pasi lamë Spiron dhe shokët e tij të çonin peshkun në magazinë dhe të bëheshin gati të hidhnin rrjetat sërish në det, ne u larguam nga porti dhe morëm drejtimin drejt qytetit të Vlorës, ku po bëheshin përgatitjet për aktivitetin e rradhës.

Përfaqësuesit e WWF Adria në Shqipëri organizuan po atë mbrëmje në Lungomaren e Vlorës një aktivitet të këndshëm dhe spontan që ishte i hapur për të gjithë qytetarët vlonjatë, kalimtarë të shumtë dhe të ftuar të mbrëmjes.

Të gjithë së bashku ata shikuan një film dokumentar të shkurtër mbi histrorinë e dy peshkatarëve nga Radhina dhe nga Zvërneci.

Përgjatë katër-pesë minutave e këtij filmi që përsëritej në mënyrë të vazhdueshme gjatë mbrëmjes, ata zbuluan sfidat e jetës së përditshme të këtyre peshkatarëve përgjatë gjithë vitit.

Gjithashtu nga ekrani i madh shfaqeshin herë pas here foto artistike të peshkatarëve artizanalë, disa prej të cilëve ishin të ftuar dhe ishin pjesë e kësaj mbrëmje. Me gota me pije në duar, ata shikonin me emocion pjesëza të jetës dhe punës së tyre të përditshme.

ALDO TARE
Foto nga Aldo Tare

“Sigurisht historia i ka të dyja kahët, ka kahun kur flasin peshkatarët dhe ka kahun e intitucioneve dhe rruga e ndërmejtësimit midis këtyre dy portave është një ndër objektivat tona më të rëndësishëm.”- Thotë në fjalën e saj të hapjes përfaqësueses e WWF Adria në Shqipëri, Artenisa Peçulaj.

“Sot përballemi me një Adriatik të varfër në burime peshkore, por që ne besojmë fort që me mbeshtjetjen e gjithë njerëzve të zakonshëm e gjithë turistëve të qytetetit të Vlorës dhe gjithë njerëzve të cilët e duan dhe e kuptojnë rëndësinë e natyrës, ne do të arrijmë të bëjmë diçka.” Përfundon ajo.

“Ne të gjithë duhet të kuptojmë se deti ynë është bosh dhe në thelb, do të jetë bosh nëse nuk po bëjmë për të bërë diçka.” -thotë Patrik Krstinic në fjalën e tij në këtë mbrëmje. “Dhe ndoshta tingëllon e vështirë për të arritur qëllimin që peshkatarët të jenë të kënaqur me jetën e tyre me të ardhurat e tyre dhe në të njëjtën kohë të kenë një det plot me peshk, por një gjë e tillë është e mundur, e arritshme.” Shpejgon ai. “Ka shumë aktivitete që mund të bëjmë për të arritur këtë qëllim. Një nga aktivitetet është pescaturismo, i cili është një nga aktivitetet që peshkatarëve i rrit të ardhurat duke ruajtur në të njëjtën kohë jetën në det.” Vazhdon ai.

Si një tjetër zgjidhje të sukseshme z. Krstinic në fjalë e tij përmend edhe Zonën e Kufizuar e Peshkimit Jabuka Pomo Pit, në Kroaci. Kjo është një zonë e mbrojtur prej 3000 km katrorë në Detin Adriatik, e cila po ndihmon jetën detare të rimëkëmbet, për përfitimin e mjedisit detar dhe komuniteteve lokale të peshkimit.

Kjo zonë është një shembull i praktikës më të mirë në bashkëpunimin transnacional dhe në përfshirjen e mendimeve dhe opinioneve të peshkatarëve dhe palëve të tjera të interesit kur krijohen masa për mbrojtjen hapësinore. Kjo zonë po zhvillohet në bashkëpunim të dy shteteve, Italisë dhe Kroacisë.

“Unë po flas me këta peshkatarë në zonën Jabuka/Pomo Pit dhe më thonë se ata kurrë nuk kanë peshkuar më shumë në jetën e tyre siç bëjnë tani, dhe disa prej tyre janë vërtet të moshuar. Unë besoj se kjo mund të ndodhë edhe këtu në Shqipëri, por ne duhet të veprojmë sa më shpejt, ndërsa jemi ende në kohë.”  Thotë menaxheri i projektit, Patrik Krstinic.

Në Shkodër, 30 korrik 2021 

Përfaqsuesit e WWF Adra gjithashtu organizuan një takim me kryetarin e Organizatës së Menaxhimit dhe Peshkimit në Shkodër, Arjan Cinari.

Gjatë takimit u diskutua mbi historikun e ngritjes së OMP-së si dhe u diskutua rreth sfidave të fillimit të projektsionit në të ardhmen. Mënyra e organizimit të saj është e ngjashme me objektivin që ka projekti i Peshkmimit Artizanal për ngritjen e komuntetit të bashkëpunimit.

Cinari shprehu gadishmërinë e tij për të mbështetur projektin e rivitalizimit të OMP-së Vlorë dhe krijimin e komiteteve të bashkëpunimit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>