![ogerta Manastirliu flet për rimbursimin e ilaçeve anti-Covid dhe testet e shpejta](https://exit.al/wp-content/uploads/2020/11/ogerta-1.jpg)
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bëri të mërkurën, disa lajmërime të rëndësishme për qytetarët në lidhje me pandeminë e Covid-19.
Ajo njoftoi se ka filluar rimbursimi i pakestës së barnave falas për çdo qytetar të diagnostikuar me Covid-19.
Për të përfituar nga rimbursimi, çdo person i infektuar me koronavirus duhet të kontaktojë me mjekun e familjes. Nëse dikush nuk e di se kush është mjeku i familjes, duhet të kontaktojë në numrin 0800 4040 për ta mësuar. Manastirliu pohoi se rimbursimi zgjat vetëm për 1 muaj.
Po ashtu, ministrja njoftoi se brenda muajit dhjetor në vend do të përdoren dhe testet e shpejta për të gjetur qytetarët e infektuar me Covid-19. Të paktën 300 mijë teste të tilla do t’ia dhurojë Shqipërisë Organizata Botërore e Shëndetit.
Manastirliu tha, ndër të tjera, se spitali Covid-4 dhe spitalet rajonale janë gati për të shërbyer pacientëve sipas skenarëve. Të paktën 270 profesionistë të shëndetit janë punësuar këto kohë, për t’iu përgjigjur nevojave të shtuara nëpër spitalet Covid.