Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu takoi, të martën, familjarët e pacientëve të shtruar në spitalet Covid për tu njohur me shqetësimet kryesore të tyre.
Ndër problemet kryesore të tyre është mungesa e komunikimit të vazhdueshëm me të afërmit e tyre dhe mjekët që i kurojnë ato. Po ashtu, ata kërkuar vënien në dispozicion të të sëmurëve të disa psikologeve për të luftuar ankthin dhe traumatizimin.
Ministrja Manastirliu premtoi se QSUT po punon për përmirëzimin e mekanizmit të komunikimit mes familjarëve dhe spitalit:
“QSUT ka vendosur një rregullore dhe ne këtë mekanizëm jemi duke përmirësuar, qoftë nëpërmjet administratorit të spitalit, qoftë nëpërmjet koordinatorëve me pacientin, qoftë nëpërmjet psikologëve, të cilët janë aty.”
Manastirliu tha se qeveria do të shpërndajë tableta në spitalet Covid për të mundësuar komunikimin:
“Tabletat do të shpërndahen në të gjithë spitalet Covid.
Kjo është një mënyrë e lehtë dhe shumë më e shpejtë për të komunikuar edhe për të t’i vendosur në kontakt familjarët me pacientët dhe patjetër që edhe ju qetësoheni.”
Ndërsa Shefja e Shërbimit Infektiv, Najada Çomo i bëri thirrje familjarëve që të lidhen dhe komunikojnë vetëm me mjekët kurues dhe jot ë marrin informacione të gabuara nga shumë burime:
“Ju keni një hall të madh dhe ju mirëkuptojmë. Por jo çdo njeri që shikoni në rrugë do e kapni për të marrë informacion sepse do të merrni informacione të gabuara. Informacionin e saktë e merrni vetëm nga mjeku kurues.”
Ministrja sqaroi se në bazë të regullores së re, familjarët mund të dërgojnë sendet personale të të afërmeve apo të marrin informacion në oraret 9-11 paradite dhe 16-17 pasdite në pikën e informacionit të caktuar pranë spitalit infektiv.