Manjola Kajana emërohet prokurore në SPAK

Nga Exit News
Manjola Kajana emërohet prokurore në SPAK

Manjola Kajana është prokurorja e 13-të që emërohet në Prokurorinë Speciale Anti Korrupsion (SPAK).

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka emëruar, të hënën, Kajanën si anëtare të SPAK-ut, pas kalimit të të dyja shkallëve të procesit të vetingut.

Në 10 korrik, Kolegji i Posaçëm i Apelimit konfirmoi në detyrë prokuroren Kajana.

Kajana është renditur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë e teta mes 15 kandidatëve për në SPAK.

Fillimisht ajo u konfirmua në detyrë më 18 qershor, nga trupa e KPK-së e përbërë nga Olsi Komici, Brunilda Bekteshi dhe Lulzim Hamitaj.

Por në gusht 2019, Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin nga detyra të prokurores.

Komisioneri Publik pretendonte se në fazën e parë të vetingut nuk është bërë hetim i plotë për pasurinë e prokurores. Ai i kërkoi Kolegjit të Apelimit rihetimin e pasurisë.

Më saktësisht, KP dyshonte për mundësitë e prokurorës për të kursyer mjaftueshëm nga rroga e saj gjatë viteve, sa për të blerë një apartament me sipërfaqe 110 metër katrorë në Tiranë, me vlerë rreth 43 mijë euro.

Po ashtu, prokurorja ka deklaruar se për blerjen e këtij apartamenti ka përdorur dhe të ardhurat e bashkëshortit nga punë në një kompani private në vitet 2013-2014.

Por nga dokumentet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore rezulton se bashkëshorti i prokurores nuk ka paguar sigurime dhe taksa për periudhën dhjetor 2012 – maj 2015.

Po ashtu, bashkëshorti i Kajanës ka aplikuar si i pastrehë për të përfituar kredi të butë nga Bashkia Fier në vitin 2012. Në këtë kohë, prokurorja Kajana ka punuar në Fier dhe ka pasur nën hetim ish-kryebashkiaku Baftjar Zeqaj dhe zyrtarë të tjerë pikërisht për abuzime të dyshuara në dhënien e kredive të buta për familjet e pastreha.

Të gjitha këto pretendime, KPA-ja i hodhi poshtë, duke konfirmuar në detyrë prokuroren Kajana.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>