Policia arrestoi dje prokuroren speciale në Maqedoni Katica Janeva, e dyshuar për ‘shpërdorim detyre’, në skandalin ‘Zhvatja’.
Katica Janeva u arrestua në kërkesë të prokurorisë për krimin e organizuar, i cili po heton skandalin që shpërtheu në korrik. Ky skandal ka tronditur qeverinë e Zaev dhe ka minuar besueshmërinë e prokurorisë anti-korrupsion në vend.
Vetë Janeva nuk i ka pranuar këto akuza, ndërsa Kryeprokurori Ljubomir Joveski deklaroi se prokurorët kishin mbledhur “prova të pakundërshtueshme” kundër saj.
Të martën, Jaenva dëshmoi në prokurori për rastin ‘Raketi”, i njohur ndryshe dhe si rasti i zhvatjes së 1,5 milionë eurove nga një sipërmarrës në shkëmbim të lehtësimit të akuzave.
Videot e skandalit u bënë publike nga gazeta italiane “La Verita”. Në video duken Bojan Jovanovski dhe Zoran Kiçeec, të cilët i marrin një çantë që mendohet se ka brenda rreth 1,5 milionë euro biznesmenit Orce Kamçev. Ata i premtojnë Kamçevit se në bashkëpunim me prokuroren Janeva do ta lironin ose do t’i zbusnin dënimin, në procesin gjyqësor për një aferë tjetër korruptive.
Hetimet për këtë rast kanë më shumë se një muaj që kanë nisur, ndërsa sistemi i drejtësisë dhe vetë politika verio-maqedone duket se nuk do ta kalojë lehtë këtë moment, pasi Prokuroria Speciale ishte produkt i një marrëveshjeje të mbështetur fort nga përfaqësuesja e BE-së, Federica Mogherini për zgjidhjen e krizës politike të viteve të shkuara.