Maqedoni, dënohet me 6 vjet burg ish-ministrja e brendshme

Maqedoni, dënohet me 6 vjet burg ish-ministrja e brendshme

Ish-ministrja e Brendshme maqedonase Gordana Jankuloska u dënua me gjashtë vjet burg për shpërdorim detyre në blerjen e një makine luksoze anti-plumb me të ardhurat e shtetit, gjatë kohës kur ajo ishte ministre.

Vendimi u mor më 8 tetor nga Gjykata Penale e Shkupit.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 2012, kohë kur Nikola Gruvski ishte kryeministër. Ish-ministrja Gordana Jankuloska, e influencuar nga Gruevski, urdhëroi vartësin e saj Gjoko Popovski të blinte një makinë anti-plumb të kompanisë Mercedes me një vlerë prej 600 mijë eurosh, nga kompania e shitjeve të automjeteve Mak Auto Star. Gjatë blerjes së makinës u shkelën dhe procedurat e tenderimit: makina është blerë fillimisht e më pas është hapur tenderi nga Ministria e Brendshme, si dhe kompania Mak Auto Star u favorizua.

Gordana Jankuloska nuk ishte e pranishme në gjykatë kur u dha vendimi, por më herët ajo e deklaroi veten të pafajshme. Jankuloska ka të drejtë ta apelojë vendimin.

Nikola Gruevski, i cili udhëhoqi qeverinë nga viti 2006 deri në 2016, dhe Gjoko Popovski u dënuan me burg në maj për të njëjtin rast. Gjykata e apelit javën e kaluar la në fuqi dënimin dyvjeçar për ish-kryeministrin, ndërsa dënimi 6 vjeçar për Popovskin u ul në dy vjet.

Gruevski, Jankuloska dhe Popovski u dënuan në bazë të materialeve audio të dala gjatë skandalit masiv përgjimi që shpërtheu në 2015 dhe kontribuoi në rënien e qeverisë së Gruevskit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>