Angazhimi i Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut në nismën e minishengenit po i sjell probleme në marrëdhëniet me partitë shqiptare.
Gazetari Isuf Kadriu raportoi për Radio Evropa e Lirë se, Kryeministri në largim Zaev, reklamoi sot nismën dhe i bëri thirrje partive shqiptare që të tregojnë hapur kundërshtitë që kanë.
“Aleanca për Shqiptarët (ASH), Lëvizja Besa dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), të tregojnë se çfarë i shqetëson lidhur me marrëveshjet e minishengenit dhe unë jam gati të them se pse ato janë nënshkruar. Ato duhet të thonë se pse janë kundër, çfarë u pengon? Të tregojnë se a janë ata kundër uljes së taksave, a kundër kolonave të gjata në vendkalimet doganore … A janë ata kundër heqjes së vizave në tregun e punës në rastet kur një turist ka hyrë tashmë në një prej shteteve anëtare të nismës së minishengenit?”
Partitë shqiptare kanë dalë kundër nismës së minishengenit për shkak të mos pjesëmarrjes së Kosovës. Ajo nuk merr pjesë në këtë nismë pasi pavarësia e saj nuk njihet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Përveç partive dhe shoqatave shqiptare të biznesit nismën e ka vënë në diskutim edhe Presidenti Pendarovski.
Pas refuzimit të hapjes së negociatave nga BE, politike në Maqedoninë e Veriut kanë rënë dakord që të zhvillojnë zgjedhje të parakohshme më 12 prill.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 partia e Zaev, Lidhja Socialdemokrate, fitoi 49 mandate. Ndërsa partitë shqiptare morën 20 deputetë: 10 deputetë BDI e Ali Ahmetit, 5 deputetë Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, ASH e Ziadin Selës 3 deputetë dhe 2 deputetë Partia Demokratike e Shqiptarëve e Menduh Thaçit.
Zaev mori përkrahjen e pjesës më të madhe të partive shqiptare dhe kjo ndasi rreth nismës së minishengenit mund t’i hapë atij probleme për zgjedhjet.
Deri më tani për minishengenin janë mbajtur 3 takime. Në atë të fundit, Kryeministri Haradinaj dhe Presidenti Thaçi refuzuan pjesëmarrjen duke e arsyetuar me mos-njohjen nga Serbia të pavarësisë dhe mohimin prej Presidentit Vuçiç të masakrave të luftës.