Maqedonia e Veriut drejt qeverisë teknike me kryeministër Oliver Spasovskin

Nga Redaksia
Maqedonia e Veriut drejt qeverisë teknike me kryeministër Oliver Spasovskin

Udhëheqësit e partive politike në Maqedoninë e Veriut janë pranë një marrëveshjeje për të formuar qeveri teknike në muajin janar.

Sinisa Jakov Marusic raportoi për BIRN se partitë politike në Maqedoninë e Veriut synojnë që këtë fundjavë të dakordësojnë vajtjen në zgjedhjet e parakohshme të prillit 2020 me qeveri teknike.

Kryeministri në detyrë Zoran Zaev, kryetar edhe i Lidhjes Socialdemokrate, pritet të vendosë me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski detjaet përfundimtare të marrëveshjes.

Sipas raportimeve më 3 janar Zaev do të tërhiqet nga posti i Kryeministrit. Në qeverinë teknike ky post do t’i takojë sërish socialdemokratëve. Mbrëmjen e së premtes këta të fundit konfirmuan se Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski do të pasojë detyrën e Zaevit.

Në pritje mbeten emrat që do të propozojë VMRO-DPMNE dhe BDI-ja e Ali Ahmeti, si për shembull Ministri i Brendshëm apo i Punëve Sociale, të cilat shpesh janë akuzuar si ministri që mund të mbulojnë parregullsitë në proceset zgjedhore.

Pas refuzimit të hapjes së negociatave nga BE, Kryeministri Zaev mori përsipër përgjegjësitë dhe ra dakord me partitë politike që të zhvillojnë zgjedhje të parakohshme më 12 prill.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 partia e Zaev, Lidhja Socialdemokrate, fitoi 49 mandate. Koalicioni VMRO-DPMNE i drejtuar nga Nikola Gruevski fitoi 51, por nuk gëzoi mbështetje për krijimin e qeverisë. Zaev pati mbështetje nga shqiptarët. Ai pati formuar koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim, të Ali Ahmetit, e cila fitoi 10 deputetë.

Në zgjedhjet e ardhshme kjo mbështetje pritet të vihet në diskutim për faktin se Zaev ka përkrahur nismën e minishengenit pa përfshirjen e Kosovës. Kjo nismë ka krijuar përplasje mes tij dhe partive shqiptare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>